Moti i keq me reshje shiu dhe stuhi ka krijuar problemet e para në disa qytete. Si pasojë e reshjeve përmbytje ka pasur në Vlorë, Lezhë, Pukë dhe Rrëshen.
Dëme ka pasur edhe në Fushë Arrëz, ku si pasojë e reshjeve të shumta është dëmtuar një banesë në fshatin Dardhë të njësisë administrative Blerim. Autoritetet në Pukë kanë nisur punë për rregullimin e problematikave ndërsa në aksin Rrëshen-Bukmirë, ende nuk ka asnjë ndërhyrje.
Në Dhërmi ka dalë nga shtrati përroi i Gjikurisë, ç’ka ka shkaktuar përmbytje pranë ish-vilave qeveritare.









Në Vlorë ka patur problematika me mungesën e furnizimit me energji elektrike. Probleme me energjinë kanë pasur gjithashtu edhe zonat e Selenicës dhe Orikumit.
Lundrimi detar për të gjitha mjetet vijon të mbetet i bllokuar. Në Theth ka pasur prurje të shumta në lumin e Shalës por pa pasoja të rënda.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka informuar se në Tamarë-Vermosh, Hani Hotit-Tamarë dhe në Valbonë, ka rënie gurësh e inertesh në trup të rrugës nga km 3 deri në km 10.
Tashmë, aksi Bogë-Theth, i cili kishte probleme për shkak të prurjeve të përrenjve në trup të rrugës është pastruar dhe aksi është i kalueshëm.
Moti pritet të përmirësohet në fund të javës.
