Pas dëshmive tronditëse në dhunën ndaj fëmijëve në Shtëpinë e Fëmijës “Vangjel Pulla” në Sarandë, reagoi Policia, duke theksuar se ka nisur hetimet për rastin. 

Denoncimi i një prej fëmijëve ka vënë në lëvizje Policinë e Sarandës, duke nisur procedim penal për drejtoreshën Stela Dako dhe psikologen e institucionit, Raviola Beqiraj. Gjithashtu, është bërë edhe pezullimi nga detyra i një oficeri të Patrullës, i cili po ashtu, akuzohet se keqtrajtoi një të mitur.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, në prani të psikologes së Njësisë së Mbrojtjes së Fëmijëve, kanë intervistuar shtetasin e mitur që shfaqet në pamjet filmike, i cili ka deklaruar se pamjet janë filmuar rreth 1 vit më parë. Për këtë rast janë kryer të gjitha veprimet procedurale, për shoqërimin dhe intervistimin e palëve të përfshira.

Në vijim të këtyre veprimeve u referuan materialet në prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetaset S. D., 58 vjeçe, me detyrë drejtoreshë e Shtëpisë së Fëmijës “Vangjel Pula” dhe R. B., 29 vjeçe, me detyrë psikologe në këtë institucion, për veprat “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Keqtrajtimi i të miturit”.

Gjithashtu, drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësit të Policisë, shtetasit A. Sh., me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme, trupë shërbimi në Komisariatin e Policisë Delvinë, pas deklaratës nga shtetasi i mitur se ky punonjës policie e kishte keqtrajtuar. Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për nisjen e hetimit disiplinor për punonjësin e Policisë.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë falënderon mediat për bashkëpunimin dhe për denoncimin e rasteve të tilla dhe i fton sërish që të denoncojnë çdo rast të abuzimit me detyrën, sjellje të pahijshme apo tejkalim të kompetencave të punonjësve të Policisë, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm”, sqaroi Policia.

DËSHMIA

Një djalë nga Shtëpia e Fëmijës “Vangjel Pulla” në Sarandë, tregon, se në këtë institucion, fëmijët i keqtrajtojnë. Ai tregon, se shpesh mësueset thërrasin policë, që nuk lejohet të hyjnë brenda, dhe këta të fundit, i ulin në gjunjë dhe i rrahin fëmijët për gabime të zakonshme. Djali thotë, se njëherë dy vajza 14-vjeçare, i zhveshën e i rrahën.

Më pas, vajzat u transferuan në Shkodër. Situata të tilla, sipas djaloshit, bëhen në sy të drejtoreshës dhe psikologes.

“Po pra, kjo më vjen inat se nuk flasin para tyre dhe rrinë dhe bëjnë sehir. Edhe drejtoresha, drejtoresha ka qenë poshtë ka qenë të zyra e vet. Dhe ka qenë dhe një polic tjetër i krimeve edhe ai polici i krimeve na ka ulur në gjunjë para. 3 veta na ka ulur në gjunjë para drejtoreshës që t’i kërkonim falje një roje atje. Po gjen rastin ku të shfryjë atë energjinë negative.

E nxjerr me ne, nuk e nxjerr me të moshës së vet. Është edhe drejtoresha, është pak si mbajtur ajo. E bukur kështu dhe i thotë ‘sqaroma pak këtë’.

Ka qenë, është një edukatore, kam frikë që t’ia them emrin. E rrahu, e ka rrahuar atë gocën, e ka rrahur lakuriq. 2 goca për Zotin e madh. Nuk e di. Nuk të gënjej fare”, tha në emisionin “Stop” i mituri.

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version