Ndërtimeve pa leje kanë vendosur në lëvizje, Prokurorinë e Tiranës. Hetuesit kanë kërkuar Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit dhe Bashkisë së Tiranës dokumentet për objektet e konfiskuara nga shteti, të cilat janë konsideruar si të ndërtuara pa leje. Inxhinierë teknikë, dhe ekspertë të fushës, janë caktuar nga Prokuroria për të kryer aktekpertizën teknike për katet pa leje në pallatin tek Liqeni i Thatë; Pallati tek Myslym Shyri dhe atë tek kulla, “Syri i Tiranës”. Ekspertët janë caktuar nga Prokuroria për shkeljet ligjore të ndërtimit pa leje, ndaj dhe do të duhet të nxjerrin volumet jashtë lejes, katet e ndërtuara, por edhe sipërfaqen e plotë të ndërtimeve, për t’i krahasuar më pas me lejen e dhënë nga institucionet përkatëse.

Aktualisht prokuroria e Tiranës ka në hetim rastet për veprën penale të ndërtimit pa leje, ndërsa deri më tani është raportuar se i vetmi që ndodhet në dyert e Prokurorisë është Pëllumb Salillari. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që të nisin hetimet edhe për biznesmenë të tjerë. Lidhur me aksionin për konfiskimin e kullave, 4 zyrtarë të Policisë në Farkë përfshirë edhe shefin e Komisariatit nr.1, Bujar Mehmeti janë pezulluar nga detyra. Agjencia e Mbikqyrjes Policore, po ashtuka vendosur pezullimin për 30 ditë edhe për Flamur Sulën, shef i postës policore në Farkë, inspektorin e krimeve, Alban Rama dhe specialistin Nazmi Kareci. Të gjithë, akuzohen se janë përfshirë në çështjen e ndërtimeve pa leje në zonën e Farkës, ku dyshohet se nuk kanë marrë masa për të ndaluar ndërtimet pa leje.
Në shtator të këtij viti Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për konfiskimin e ndërtimeve pa leje, përmes së cilit pronarët e pallateve ose duhet ta blejnë ndërtimin pa leje me çmimi tregu dhe i legalizohet, ose ia dhurojnë shtetit, ose ndryshe i sekuestrohet.
Qeveria ka miratuar një vendim që tentonte të amnistonte ndërtimet pa leje të ndërtuesve të fuqishëm kundrejt konfiskimit ose duke iu ofruar të drejtën e blerjes me çmimin e tregut. Por vendimi anashkalon Kodin Penal, i cili i klasifikon ndërtimet e paligjshme si vepër penale, që dënohet deri në 8 vite burg. Me gjithë tentativën e qeverisë për amnisti, zyrtarët përgjegjës për mbrojtjen e territorit me sa duket kanë ngurruar të mbajnë përsipër riskun për të mos bërë kallëzim penal, pasi kjo i ngarkon me përgjegjësinë e moskallëzimit të krimit.

