Mesditën e sotme, në Kryeministri do të mblidhen përfaqësuesit e të gjitha partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Kjo pas një ftese që u bë në fundjavë nga ana e kryeministrit Edi Rama. Në takimin e sotëm me kryeministrin Edi Rama, pritet që të marrin pjesë: Ali Ahmeti i BDI, Afrim Gashi i Alternativës, Menduh Thaçi i PDSH dhe Arben Taravari i Aleancës për Shqiptarët.
Nënkryetari i Lëvizjes Besa, Fatmir Limani, deklaroi se asnjë përfaqësues nga forca politike ku ai bën pjesë nuk do të shkojë në Tiranë. Kryefjalë e takimit pritet që të jenë ndryshimet kushtetuese të diktuara nga ngërçi me Bullgarinë.
Ndryshime që u vendosën si kusht nga Brukseli për hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut. Sigurimi i votave për ndryshimet kushtetuese pritet të jetë sfida e këtij viti për qeverinë e Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që të mund të mbahet konferenca e dytë ndërqeveritare me BE-në.
Opozita maqedonase ka deklaruar se nuk do ta votojë një gjë të tillë, ndërsa ka përsëritur kërkesën për zgjedhje të parakohshme në maj të këtij viti.

