Ditën e sotme, Përfaqësuesit e Financave ishin të pranishëm në Komisionin e Ekonomisë. Ata deklaruan se drafti me ndryshimet po punohet edhe me konsulencën e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe do të mbërrijë në Kuvend në pjesën e dytë të vitit.
Sipas tyre, ligji do të marrë parasysh edhe propozimet e deputetes demokrate Jorida Tabaku për kontrollin e kontratave koncesionare që u diskutuan sot në Komision.
‘FMN në të gjitha raportet e fundit ka kërkuar integrimin e PPP-ve me kornizën e përgjithshme të investimeve publike dhe buxhetore. Kemi parashikuar qoftë në PKIE apo dhe në planin e akteve që propozimi për ndryshimet ligjore të vijë në Kuvend në 6 mujorin e dytë të vitit dhe me parashikimin për tu miratuar në fund të këtij viti.’-tha Vasilika Vjero, zëvendësministrja e Financave.
Nisma u mirëprit edhe nga deputetët e mazhorancës, ndërsa Tabaku këmbënguli se ndryshimet janë urgjente. Propozimet e deputetes Tabaku përfshijnë katër ndryshime kryesore që synojnë zgjidhjen e problematikave që hasen në kontratat koncesionare, që përfshijnë rritjen e transparencës, rritjen e përgjegjësisë personale, forcimin e kontrollit të raporteve financiare të kompanive si dhe atë të luftës kundër pastrimit të parave.

