Suel Çela, i njohur edhe me identitetin Marjus Lulaj i është drejtuar Gjykatës së Posaçme dhe ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’ në një më të lehtë. Përmes një letre nga arratia, pasi është shpallur në kërkim pasi akuzohet se ka porositur vrasjen e biznesmenit Lulzim Masha, i cili u shpëtoi plumbave pranë Liqenit Artificial në Tiranë, Çela kërkon ndryshimin e masës së sigurisë deri në përfundim të hetimeve.
Ai akuzohet edhe se ka porositur një prej katër atentateve të dështuara për vrasjen e Elton Kilës, të njohur ndryshe si Oti.
Emri i Suel Çelës doli pas zbërthimit të Nuredin Dumanit. Me arrestimin e këtij të fundit dhe të mikut të tij, Henrik Hoxhaj u zbërthyen një sërë vrasjesh e atentatesh, mes tyre dhe ato që ishin përgatitur për Mashën e Otin.
Lulzim Masha u shpëtoi plumbave në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë teksa udhëtonte me mjetin e tij tip “Mercedes Benz”, të llojit ML. Drejt tij u qëllua disa herë nga personi që tashmë është vënë në pranga, Skerdi Tase, por asnjë nga plumbat nuk e kapi. Ngjarja e mbyll me vetëm dëme materiale në mjetin e Mashës. Vetë ky i fundit dëshmoi se nuk kishte konflikte me askënd, por Dumani tregoi se kishte marrë udhëzime nga Çela për organizimin e atij atentati dhe të një tjetri të zhvilluar në Elbasan për eliminimin e Elton Kilës. Ky i fundit u ka shpëtuar katër atentateve.

