SHBA- Një operacion kërkim-shpëtimi është duke u zhvilluar në Atlantikun e Veriut pasi një nëndetëse që eksploronte rrënojat e Titanikut u zhduk të dielën. BBC raporton se anija kërkimore ‘Polar Prince’ humbi kontaktin me ekuipazhin e nëndetëses Titan një orë e 45 minuta pas zhytjes së saj.
Cila është e reja në përpjekjet e shpëtimit?
Anija ‘Princi Polar’ mbërriti pranë vendndodhjes së mbytjes së Titanikut në Oqeanin Atlantik të dielën në mëngjes. Një postim në ‘Facebook’ nga një prej 5 turistët, Hamish Harding, i cili ishte në nëndetësen Titan, tha se ata prisnin të fillonin zhytjen në orën 04:00 me orën lokale.
Nëndetësja me pesë persona “u fundos të dielën në mëngjes dhe ekuipazhi i Princit Polar humbi kontaktin me ta rreth një orë e 45 minuta pas zhytjes së anijes”. Nëndetësja Titan mendohej të ishte afërsisht 900 milje (1450 km) nga bregu Cape Cod në atë kohë. Roja Bregdetare ka dërguar dy avionë C-130 Hercules për të kërkuar zhytësen në sipërfaqen e ujit dhe kërkimit i është bashkuar një avion kanadez C-130 dhe një aeroplan P8 i pajisur me aftësi sonar nënujore.
Kush ishte në bord?
Midis pesë personave në bordin e Titanit, deri më tani janë konfirmuar tre persona Hamish Harding , një biznesmen dhe eksplorues miliarder britanik 59-vjeçar dhe një biznesmen pakistanez Shahzada Dawood dhe djali i tij, Suleman Dawood.
Harding fillimisht njoftoi se do t’i bashkohej ekipit në qershor të vitit të kaluar dhe tha se ekuipazhi në anije përfshin “dy eksplorues legjendar, disa prej të cilëve kanë bërë mbi 30 zhytje në RMS Titanic që nga vitet 1980”.
Eksploruesi francez Paul Henry Nargeolet gjithashtu mendohet të jetë në bord, sipas një postimi në Facebook nga zoti Harding para fillimit të zhytjes. Dyshohet se edhe Stockton Rush, shefi ekzekutiv i ‘OceanGate’ firma që qëndron pas zhytjes mendohet të jetë në anije.
Çfarë ishte duke bërë?
“OceanGate Expeditions” për 250,000 dollarë, u ofron turistëve një vend në ekspeditën e saj tetë ditore për të parë rrënojat e famshme, e cila ndodhet 3,800 metra (12,500 këmbë) nën sipërfaqen në fund të Atlantikut.
Vendi është rreth 600 km (370 milje) nga bregu i Newfoundland. Një zhytje e plotë në rrënoja, duke përfshirë zbritjen dhe ngjitjen, thuhet se zgjat tetë orë. Çdo ekspeditë zgjat tetë ditë sipas ‘OceanGate’ dhe çdo zhytje ka për qëllim të përfshijë një objektiv shkencor, duke përfshirë studimin e prishjes së rrënojave.
Çfarë dimë për Titanin?
Titan është një zhytëse e cila mban 5 persona, e ndërtuar për të zbritur në thellësi 4000 metra (2.5 milje).
Përveç marrjes së zhytësve në rrënojat e Titanikut, ai përdoret për studim dhe inspektim në terren, kërkime dhe mbledhje të të dhënave, prodhim filmash dhe mediash. Titan është “pajisur me sisteme më të avancuara ndriçimi dhe navigimi sonar plus pajisje video dhe fotografike 4K të montuara brenda dhe jashtë”.

