Komisioni Qendror i Zgjedhjeve urdhëron, por socialistët nuk binden! Vetëm dy ditë më parë, KQZ doli me një njoftim të prerë dhe u ndaloi socialistëve pesë aktivitete, nisur nga ministrja Elva Margariti, Mirela Kumbaro e kryebashkiakët Flamur Golemi, Redjan Krali dhe Erion Veliaj. Dosja.al vëzhgoi profilet e emrave të mësipërm dhe vuri re se njoftimi që i ndaloi rreptësisht këto aktivitete, ka qenë i padukshëm për ta.
Rastet…
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka vënë sot në rresht për ta duartrokitur të gjithë punonjësit e Policisë Bashkiake, Zjarrfikësit, punonjësit e IMT-së dhe i gjithë stafi i AMK-së. Të gjithë kanë mbushur stolat e Amfiteatri të Tiranës tek Liqeni Artificial si asnjëherë më parë dhe dëgjojnë, filmojnë e duartrokasin me ëndje qytetarin numër një të Tiranës.
KQZ-ja e tha prerë se kryebashkiaku i Kavajës, Redjan Krali nuk duhej kurrsesi të zhvillonte bisedë me ekselentët e gjimnazit, por ai e plotësoi dëshirën e tij. Nën shqërinë e deputetit socialist Etjen Xhafaj, Krali u ul dy ditë më parë me nxënësit më të mirë të Kavajës.
Flamur Golemit iu ndaluan tre aktivitete, 1 që bëhet fjalë për inspektim punimesh në rrugën e fshatit Zhulat, dhe 2 të tjera që fokus kanë pasur turizmin dhe të rinjtë, përgatitjes e studentëve për tregun e punës si edhe përmirësimi i cilësisë së jetës. Në një nga këto takime do të ishte e pranishme edhe Mirela Kumbaro, drejtuese e PS-së në Gjirokastër. Dhe nga këto, ajo që realizoi ishte një promovim i punimeve të Ujësjellësit. Pranë tij ishte dhe Kumbaro e ministrja Belinda Balluku.
Ndërsa Ministrja e Kulturës, Elva Margariti sot në orën 14:00 kishte organizuar një bisedë të hapur “për klasterin dixhital për audiovizivën”. Aktiviteti ishte planifikuar që të mbahej në ambientet e Ministrisë së Kulturës, por që KQZ-ja s’e ka dhënë ‘lejen’.
Gjithsesi, Margariti s’ka pritur këtë vendim për të bërë një ‘dorë fushatë’ në shkolla. Në postimin e bërë në profilin e saj në Facebook, ajo shihet se është ulur mes nxënësve të shkollës “Edith Durham”.
Të gjitha këto aktivitete janë të ndëshkueshme, por afrimi i 14 majit ka bërë që përfaqësuesit e maxhorancës ‘të mbyllin sytë’ dhe të shtojnë takimet e organizimet, duke përfshirë këtu ambientet shkollore dhe duke shkelur kështu nenin 91 të Kodit Zgjedhor, i cili nuk lejon përdorimin e ambienteve shkollore, nxënësve apo mësuesve për qëllime elektorale.

