Ish-drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, (ARRSH), Sonila Qato u paraqit ditën e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK). Pas daljes nga SPAK, Qato, e cila u shoqërua nga avokati, u shpreh për mediat se u ftua për t’u marrë në pyetje si person që ka dijeni për një çështje. Por nuk e saktësoi për çfarë bëhej fjalë. Qato tha po ashtu se edhe dorëheqja e saj nga ARRSH lidhet me këtë arsye që SPAK e drejtësia të hetojnë dhe të vendosin në vend drejtësinë.
“Nuk isha njoftuar për ndonjë konferencë, është një procedurë që ka nisur me dorëheqjen time, dhashë detaje, procedura e kallëzimit është e Kardhiq-Delvinës, u pyeta si person që ka dijeni për rrethanat e çështjes. Çështja është për shkelje të barazisë në tendera”, tha Qato.
Ish-zyrtarja e lartë mbërriti në ambientet e Prokurorisë së Posaçme ditën e sotme, në orën 10:00. Arsyeja e parë që Qato u thirr në SPAK lidhet me një kallëzim që ka bërë Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe e dyta për tenderin Kardhiq-Delvine. Në janar të vitit 2020 Kontrolli i Lartë i Shtetit bëri kallëzim në prokurori për ish-Drejtoreshën e Autoritetit Rrugor Sonila Qato dhe 3 anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Sipas KLSH-së, ata shkelën procedurat e tenderimit për tunelin e rrugës Kardhiq-Delvinë me vlerë 19 milionë euro, i cili u anulua në gusht 2019 pasi kompania Gjoka Konstruksion ishte skualifikuar 2 herë.
Asokohe, ish-drejtuesja e Autoritetit Rrugor Shqiptar akuzonte median për spekulim mbi procedurat e ndjekura. Qato u dorëhoq nga detyra në shtator të vitit 2019.

