Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen hetimore ndaj Ibrahim Lekicës, i arrestuar në Kukës pak muaj më parë.
Ndaj tij, është ngritur akuza penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”.
PSE AKUZOHET
Nëpërmjet një njoftimi, SPAK bën me dije edhe faktet, mbi të cilat ngrihen akuzat ndaj tij. Ka qenë njësia e antiterrorit ajo që ka ndjekur postimet në rrjetet sociale të 59-vjeçarit. “Referuar përmbajtjes së shkrimeve të publikuara nga ky i pandehur (duke filluar nga data 22.09.2021 e në vijim) nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, transkriptimit dhe përkthimit të videove nga gjuha e huaj (arabe) në atë shqipe, është arritur në konkluzionin se, postimet e kryera përmbanin elementë të konsiderueshëm të deformimit të koncepteve fetare, të propagandës ekstremiste dhe nxitëse të urrejtjes”, thuhet në dosjen hetimore.
“Nëpërmjet postimit të përmbajtjes së shkrimeve nga ana e të pandehurit manifestohen thirrje/ propagandë që të shtyjë personat lexues/ndjekësit e tij për të përkrahur luftën e shenjtë “xhihadin”, është solidarizuar me personat e vrarë në këtë luftë, me legjitimimin e krijimit të të ashtuquajturit shteti islam i Irakut dhe udhëheqësit e tyre, duke u solidarizuar me fitoren e luftëtarëve të shtetit islam të Irakut, ka mbështetur personat e burgosur të cilët kryejnë vepra penale dhe akte terroriste kundër disa shteteve perëndimore, ka përkrahur mobilizimin e fëmijëve në akte të dhunshme, si dhe ka synuar nxitjen dhe ka bërë thirrje publike për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste”, thuhet më tej.
ARRESTIMI
Më 24 maj, Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit njoftoi arrestimin e 56- vjeçarit nga Kukësi, Ibrahim El Salih (Lekica), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”. Ndaj El Salih është lëshuar më 18 maj një masë sigurie arrest me burg nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pas kërkesës së depozituar nga prokurori Adnan Xholi.
Prokuroria e akuzon El Salih se ka përdorur një llogari në rrjetin social ‘Facebook’ për të shpërndarë një seri postimesh në mbështetje të Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë, ISIS dhe drejtuesit të tij të vrarë, Ebu Bekër elBagdadi, si dhe thirrje në mbështetje të luftës së shenjtë – xhihadit islamik në Lindjen e Mesme dhe Afrikë. I lindur në fshatin Shtiqën dhe banues në Kukës, El Salih njihet si besimtar praktikant i fesë islame dhe ishpunonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë e Kukësit. Baba i dy fëmijëve të rritur, ai raportohet gjithashtu si aktivist politik dhe mbështetës i opozitës, por nuk është shquar më parë për prirje ekstremiste ose radikale fetare.
Përfaqësuesi ligjor i El Salih, avokati Ferid Muça tha më herët se akuzat e Prokurorisë Speciale për nxitje të akteve terroriste nuk qëndronin, ndërsa i përshkroi postimet e El Salih në rrjetet sociale si rishpërndarje të postimeve nga llogari të tjera dhe citime të Kuranit. “Gjithë postimet dhe qëndrimet e të përfaqësuarit prej meje nuk janë bërë për qëllime për nxitje, thirrje publike ose për propagandë, ashtu si thuhet prej policisë dhe prokurorisë”, tha Muça. “I ka shpërndarë duke qenë i ndjeshëm ndaj padrejtësive që u bëhen muslimanëve, pasi ai është person që beson në fenë muslimane dhe është praktikant i rregullt i fesë,” shtoi ai.

