Pasditen e së hënës Kuvendi nis sesionin e ri parlamentar, ku ashtu si në mbyllje të tij shfaqja që do të ofrohet nga të zgjedhurit e popullit do të jetë sërish përplasje brenda llojit, por edhe me kundërshtarin politik.
Demokratët vijnë me katër deputetët të përjashtuar, pas vendimit të Enkeljed Aliebajt, i cili largoi nga grupi parlamentar Oerd Bylykbashin, Tritan Shehun, Belind Këlliçin dhe Agron Shehajn. Përplasja brenda familjes së tyre politike pritet të zbresë edhe në sallën e Kuvendit, sikundër ndodhi edhe në sesionin që lamë pas.
I ashpër do të jetë debati edhe për një sërë vendimesh dhe nismash ligjore që presin në sirtarët e kuvendit për t’u votuar. Një ndër to është emri i ri i Avokatit të Popullit, pas mos gjetjes së dakordësisë vitin e kaluar. Maxhoranca ka paralajmëruar nisjen e procedurës nga e para dhe për votimin e emrit të ri nevojiten 84 vota.
Tre nismat e qeverisë; ajo për Amnistinë Fiskale, Pasaportat e Arta dhe Legalizimi i Kanabisit, nga të cilat qeveria pavarësisht kritikave të Bashkimit Europian nuk ka ndërmend të tërhiqet pritet të shkaktojnë jo pak përplasje në Kuvend.
Ky sesion pritet të ketë një ndërprerje disa javore në pranverë për shkak të fushatës elektorale për zgjedhjet e ardhshme vendore.

