Është zbardhur dëshmia e Indrit Beqiraj, njërit prej vëllezërve të vënë në pranga pas zbërthimit të grupit kriminal me vrasës me pagesë që vepronin në Durrës. TVKLAN shkruan se Indriti, në dëshminë e tij përpara hetuesve ka treguar edhe personat të cilëve u ka shitur disa pistoleta. Tarifat për shitjen e pistoletave varionin më e lira nga 200 Euro deri në 1000 Euro. Njërën prej pistoletave me silenciator, ai tregon se ia ka shitur një kapterri në Tiranë.

Pjesë nga dëshmia:
Indrit Beqiraj: Nuk kam para nga ato që më janë dhënë. I kam harxhuar.
Pyetje: Rezulton se ke poseduar tre pistoleta të dhëna nga Kevin Zeneli si dhe ke blerë një pistoletë me paratë e dhëna nga Muli si dhe ke një armë automatik dhe lëndë plasëse tritol. I posedon këto armë dhe lëndën plasëse?
Indrit Beqiraj: Armën pistoletë Grand Power ia kam shitur 1000 Euro shtetasit G.SH., banues në Durrës në lagjen Nr.6, person i njohur prej meje prej vitesh dhe merret me tregti e shet rroba të përdorura, shitje e cila është bërë në periudhën e Vitit të Ri. Jam takuar me G. tek ish-fabrika e bukës dhe i thashë opsionin tim dhe ja kam çuar dhe i kam marrë 1.200.000 Lekë. Pistoletën Berreta PX4 ja kam shitur shtetasit A.L, për shumën 1400 Euro. Edhe këtë armë e kam shitur në këtë periudhë të fundit të vitit 2021 dhe me Armandin jam takuar në Durrës tek lokali i I.B., në lagjen Nr.17. Dy pistoletat e tjera atë që bleva nga Armandi dhe atë që më dha Kevi ja kam shitur një kapteri që nuk e njoh me emër por që ma ka prezantuar një djalë me emrin B. nga Babrruja, Tiranë, ku ja kam dhënë për 500 Euro dhe një Glock imitim plus tjetrën ja kam dhënë për 300 mijë Lekë dhe një Glock imitim. Këto dy Glocket i kam shitur një në Shijak shtetasit Kujtim Deliallisi për shumën 400 mijë Lekë dhe tjetrën ja kam dhënë Alban Hajdarit për shumën 200 Euro. Alban Hajdarit i kam dhënë dhe një Ekol të cilën ja kam marrë po shtetasit Armand Lame dhe pistoletën e sqaruar me sipër me silenciator. Shtetasin Kujtim Deliallisi e njihja më përpara sepse ka punuar me rroba të përdorura dhe ja kam ofruar unë pistoletën. Kujtim Deliallisit ja kam shitur pistoletën rreth periudhës Shkurt-Mars të këtij viti. Ndërsa Alban Hajdarin e kam njohur më parë pasi ka qenë kryetar shtabi i Partisë Demokratike në Durrës për lagjen Nr.10. Dua të them se dhe Albanit ja kam shitur armën po në fillim të Marsit të këtij viti, ndërsa pistoletën Ekol ja kam falur në Nëntor të vitit të kaluar. Pistoletën e parë që i kam falur ja kam dhënë brenda në makinën e tij tek lagjia Nr.10 ku i pranishëm ka qenë dhe vëllai im i cili quhet Gentian Beqiraj, ndërsa pistoletën e dytë ja kam shitur tek lokali i tij të cilin e kanë në Currila dhe quhet “Varka-Dean”. Automatikun dhe tritolin e dytë i kam të fshehura në banesë tek bodrumi i banesës të futura në dhe, të mbështjella me qese ku aty janë dhe 10 shufra tritol, fishekë e kapsolla elektrike pesë copë.
Pyetje: A keni dijeni për ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në qytetin apo Qarkun e Durrësit?
Indrit Beqiraj: Nuk kam dijeni për ngjarje të tjera të ndodhura në Durrës apo në Qarkun e Durrësit.
Pyetje: I keni numër telefoni Kevin Zenelit apo Ilirian Feçit?
Indrit Beqiraj: Kevit i kam patur një numër të shkruar me emrin Klevi dhe Klevi Shoki. Ilirianit ja kam fshire pasi ka qenë këto kohë i arrestuar.
Pyetje: A keni leje nga organet kompetente për mbajte arme zjarri?
Indrit Beqiraj: Nuk kam leje nga organet kompetente.
Masat që u dhanë sot:
‘Burg pa afat’:
Indrit Beqiraj, 32 vjeç banues në Durrës
Gentian Beqiraj, 39 vjeç banues në Durrës
Flamur Bejko, 52 vjeç, banues në Durrës
Burg me afat 45 ditë:
Armand Dalipi (Daka), 43 vjeç, banues në Durrës
Pëllumb Hoxha, 52 vjeç, banues në Fushë Krujë
Idajet Hoxha, 42 vjeç, banues në Bulqizë
Fatjon Myrta, 52 vjeç, banues në Sukth
Blerim Elezi, 51 vjeç, banues në Tiranë
Kujtim Daliallisi, 64 vjeç, banues në Shijak
Gentian Sheshi, 50 vjeç, banues në Durrës
Alban Hajdari, 38 vjeç, banues në Durrës
Armando Lama, 32 vjeç, banues në Durrës
Altin Celmani, 43 vjeç, banues në Tiranë
Për Ilirjan Feçin, i arrestuar më herët në kuadër të operacionit “Golden Bullet”, u referuan materialet shtesë në Prokurori.
Ç’ndodhi mëngjesin e 3 tetorit?
Dy vëllezërit, Gentjan e Indrit Beqiraj kanë qenë duke udhëtuar me një motomjet tip “Piaggio” me targa AI 724, kur janë përplasur nga një makinë me targa 117 që sipas materialit hetimor, nuk shquhen qartë nga pamjet. Gentiani ka qenë në timon, ndërsa Indriti pasagjer. Të dy janë dhunuar nga grupi i personave që pasi i kanë përplasur, kanë zbritur nga makina. Më pas, ata, pjesë e grupit të Pëllumb Muharremit “Rrumi i Shijakut”, kanë marrë peng Indrit Beqiraj ne janë larguar. Gentiani, në panik e i alarmuar për të vëllanë ka lajmëruar Policinë e Shtetit. Dy orë më vonë, pa ndërhyrë ende efektivët, Indriti është liruar. Ai bashkë me të vëllanë kanë dëshmuar dhe para grupit hetimor kanë rrëfyer se qëndrimi i tyre në autostradë nuk ka qenë rastësor, por për të vëzhguar Rrumin, për të cilin ishin paguar për ta eliminuar. Por, plani dështoi pasi u pikasën nga njerëzit e shënjestrës.
Vëllezërit Beqiri zbërthyen të gjithë grupin kriminal me bazë në Durrës që kokë kishte Kasandër Nogën, i cili jepte urdhrat nga burgu në Belgjikë, ku është vënë në pranga pas atentatit që i bëri Erion Hasanbellit. ‘Killeri’ i besuar i Nogës ishte Kevin Zeneli alias Kevin Suçi, 23 vjeç, i cili kishte kontraktuar vëllezërit Beqiri për të vrarë Arbën Mërkurin (Maneci) si dhe Geron Hasanbellin, vëllanë e Erion Hasanbellit. Atentati ndaj Manecit u realizuar, por ai ndaj Hasanbellit dështoi, pasi në “Don bosko” u ngatërrua shënjestra dhe i vrarë mbeti Erion Çela, 35 vjeç.
Të arrestuarit janë: Gentjan Beqiraj, Indrit Beqiraj, Flamur Bejko, Pellumb Hoxha, Idajet Hoxha, Armand Dalipi (Daka), Fatjon Myrta, Blerim Elezi, Gentian Sheshi,Kujtim Deliallisi, Albano Hajdari, Fatjon Hajdari, Armando Lama, Altin Celami.
Të shpallur në kërkim janë: Agron Bejdolli, Aleksander Laho alias Pellumb Muharremi, Dritan Ferra alias Dritan Muça alias Dritan Prifti, Alban Skonja, Kevin Zeneli alias Kevin Suçi. I arrestuar në Belgjikë është Kasander Noga.
Marre nga Tv Klan

