Viti i ri nuk ka nisur mire për PSG-në, e cila ka grumbulluar tashmë tre humbje dhe një barazim në shtatë ndeshje të ligës në vitin 2023, përveç eliminimit në fazën e 16-të të Kupës së Francës. Dhe e gjithë kjo, me duelin e Champions League kundër Bayern Munichut në afërsi, me Mbappe dhe Messi të dëmtuar dhe me një det dyshimesh në lojën e tyre.
Pengesa e fundit ndodhi në Monaco, ku pësoi disfatën 3-1. Skuadra mbërriti e varfëruar nga një virus në stomak, por kjo nuk është një justifikim për një klub që kërkon shumë. E vërteta është se kjo pengesë e re ka treguar se ka fraktura në dhomën e zhveshjes.
Sipas L’Equipe, ka pasur një diskutim të ashpër mes disa anëtarëve të skuadrës dhe Luis Campos, i cili kritikoi lojtarët për “mungesën e agresivitetit” të tyre, ndër të tjera. Kjo nuk i pëlqeu të gjithëve. Dhe në veçanti dyshes braziliane Marquinhos-Neymar, për të cilët problemi i PSG-së nuk ishte ky. Mesa duket të dy palët kanë shkëmbyer fjalë të nxehta në portugalisht (gjuha amtare e protagonistëve) dhe kjo ka habitur, për intensitetin e saj, edhe disa anëtarë të stafit.
Neymar doli i nxehur jashtë fushës dhe u pa nervoz, duke sharë në faza të caktuara të lojës e skuadrës. Madje ai përdori fjalë të pahijshme ndaj disa shokëve të ‘klasës’. Sulmuesi i ri francez Hugo Ekitike ishte një nga më të prekurit. Kritikat e Campos përfunduan duke tërhequr gjithë tërbimin e brazilianit.

Eshtë tentuar që gjithçka të mbesi në dhomat e zhveshjes dhe tani duket se ‘sherri’ është tejkaluar. Klubi ka dashur t’i japë një imazh më të qetë dhomës, duke kërkuar që me tifozët të flasë një prej kapitenëve, Presnel Kimpembe: “Gjëja më e rëndësishme është të qëndrojmë të bashkuar, pavarësisht gjithçkaje që thuhet, pavarësisht gjithçkaje që po ndodh, ky është mesazhi,” i fjalimit paqtues.
Ndërkohë Kylian Mbappé e ndoqi disfatën e ekipit të tij nga distanca, duke i dërguar një mesazh inkurajues përmes rrjeteve sociale: “Të qëndrojmë të fortë dhe të bashkuar”.
Të martën një ‘Miura’ mbërrin te PSG. Dhe jo në kohën më të mirë. Nuk ndihmojnë tensionet në dhomën e zhveshjes, dyshimet dhe dëmtimet e dy figurave kryesore të saj. Finalja e parë e madhe e sezonit për parizienët është në prag.

