Nis operacioni masiv i koduar “Alpe të pastra”, për kontrollin e territorit malor. Operacioni nga strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë në Shkodër, Komisariati i Policisë Malësi e Madhe dhe shërbimet e Policisë Kufitare Shkodër; pra gati 100 forca policore dhe 6 dronë, po kontrollojnë terrenin për kanabis.
Fillimisht do të kontrollohen territoret e njësive administrative Shkrel dhe Gruemirë.
“Fillimisht do të kontrollohen territoret e njësive administrative Shkrel dhe Gruemirë. Grupet e kontrollit kanë në dispozicion dronë dhe do të kontrollojnë jo vetëm zonat malore, por çdo territor të këtyre zonave, duke u përqendruar edhe në ato zona që në vitet e kaluara, janë evidentuar nga shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të territorit, bimë narkotike të kultivuara,”-njoftoi Policia.
Gjatë momenteve të para të kontrollit, janë evidentuar disa vende të hapura rishtas, ku dyshohet se në këto miniparcela mund të kultivohet kanabis, të cilat do të mbahen nën kontroll nga shërbimet e Policisë në vijimësi, me qëllim parandalimin e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.

