Drejtoria e Tatimeve në Tiranë ka nisur një aksion për kontrollin e pagave të deklaruara të pedagogëve. Dje, kryeministri Edi Rama u shpreh se pedagogët që punojnë në privat nuk deklarojnë pagat reale, ndaj mund t’u kontrollohej pasuria. Por duket se aksionin e ka nisur që më para. Më 4 tetor, siç edhe është shënuar në dokumentin e mëposhtëm. Që kur nisi debati dhe përplasja me pedagogëve, duket se masat janë marrë për t’i kontrolluar, të marrin në pyetje pedagogët dhe bashkë me ta të plotësojnë formularët e vetëdeklarimit, për nivelin e pagës që marrin.

“Kontrolli i vetëdeklarimeve mbi nivelin e pagave, llogaritjes, mbajtjes dhe derdhjes së detyrimeve tatimore nga tatimpaguesi si dhe kontrollit në funksion të faktorëve të riskut, ky tatimpagues nga Analiza e Riskut, rezulton me pagë më të ulët se mesatarja nga sektori i Arsimit, nxjerrë nga Drejtoria e Menaxhimit të Rriskut në zbatim të Vendimit të Komitetit të Përmbushjes nr.31, datë 29.07.2022, për planin sektorial mbi kontrollin e informalitetit të pagave.”
Ky inspektim ndaj vetëdeklarimit të pagave të pedagogëve vjen në një kohë kur ata janë ngritur në protesta në disa universitete të vendit, për rritjen e pagave. Po ashtu, inspektorët udhëzohen që menjëherë pas deklarimeve të pedagogëve mbi pagën, të bëhet dhe verifikim i arkës së parave në Universitete. Ndërkohë që sot, Rama tha se nuk e ka përmendur fjalën “Vetting”.