Kryeministri Edi Rama ka takuar dje drejtuesit e dy institucioneve të sigurisë kombëtare dhe kibernetike, duke nisur përgatitjet për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që pritet të thirret shumë shpejt nga Presidenti Bajram Begaj.
Gazeta “Panorama” ka mësuar se kreu i qeverisë ka takuar dje drejtorin e ri të SHISH, Oljan Kanushi dhe drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karcanaj. Sipas burimeve, Kryeministri ka takuar të parin kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Oljan Kanushi, i cili u emërua në këtë detyrë në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar.
Kanushi ka vetëm pak ditë në krye të këtij institucioni, dhe mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare pritet të jetë e parë për të si drejtues, megjithëse ka marrë pjesë në ato të kaluarat për shkak se ishte zv.drejtor i SHISH. Burimet kanë sqaruar se Kanushi është parë të futet në ‘Vilën 31’ rreth orës 09:45 dhe më pas brenda Kryeministrisë rreth orën 11:30. Ndërkohë, kreu i qeverisë kishte thirrur në një takim informues edhe drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karcanaj. Ajo mbërriti në “Vilën 31” në orën 10:55 minuta dhe u largua në 11:25 minuta. 30 minuta duket se i kanë mjaftuar kreut të qeverisë për informuar mbi çështjes e sigurisë kibernetike.
Kujtojmë që në 3 janar të këtij viti, Kryeministri Edi Rama zhvilloi vizitën e parë te Presidenca takoi kreun e shtetit, Bajram Begaj. Në takimin që zgjati për rreth 70 minuta përpos çështjeve të tjera me rëndësi ishte diskutuar edhe për mbajtjen e një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Këtë detaj e bëri të ditur vetë kreu i qeverisë përmes një reagimi në rrjetet sociale duke e shoqëruar edhe me foto, pavarësisht se nuk dha detaje për kohën kur do të mbahet kjo mbledhje dhe arsyet e “urgjencës” së saj. “Takimi i fillimvitit me kryetarin e shtetit për ta informuar mbi çështjet kryesore të këtij viti qeverisës, si edhe për të përgatitur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe ndryshimet e ambasadorëve në misionet tona diplomatike”, shkroi Edi Rama pas takimin me Bajram Begaj në fillim të këtij muaji.
Sulmet kibernetike të Iranit mbi sistemet shërbimit online të vendit tonë që bllokuan ofrimin e shërbimeve duke vjedhur edhe të dhënat apo informacione të shumë qytetarëve alarmuan qeverinë shqiptare dhe vunë në lëvizje edhe parterët tanë strategjikë si SHAB dhe NATO. Në fund të korrikut, një grup i kompanisë Microsoft erdhi në Shqipëri për të dhënë asistencën e tij për të gjetur shkaktarët e sulmit dhe rikthyer shërbimet për qytetarët. Në një dalje për mediat, përfaqësuesi i skuadrës speciale të Microsoft për sigurinë kibernetike, Kevin Chin, tha se “Microsoft është e përkushtuar për të ndihmuar klientët tanë për të arritur më tepër duke qenë të sigurt. Gjatë kësaj ngjarje ne mobilizuam shpejt njësinë tonë të reagimit që të ndihmojë qeverinë shqiptare të rikuperohet nga ky sulm kibernetik.
Microsoft do të vijojë partneritetin me Republikën e Shqipërisë me menaxhimin e sigurisë kibernetike duke rritur nivelin mbrojtës nga sulmet keqdashëse”. Më pas ishte qeveria shqiptare që lajmëroi se pas tyre qëndronte Irani, ndaj të cilin mori një vendim politikë duke e larguar përfaqësuesit e tyre diplomatik. Në krah të Shqipërisë u rreshtua SHBA, e cila vendosi menjëherë disa sanksione të rënda për Iranin. Shqetësuese për qeverinë u bë edhe publikimi i të dhënave të hakeruara. Nga të dhënat dhe udhëtimet e Kryeministrit Edi Rama dhe krerëve të institucioneve, të dënuarve, të bashkëpunëtorëve të policisë, të të shumëkërkuarve dhe shumë të tjera u bërë virale në rrjetet sociale.

