Ndihmës Sekretarja për Byronë e Popullsisë, Refugjatëve dhe Migracionit, Julieta Valls Noyes erdhi dje në Shqipëri, për çështjen e afganëve. E shoqëruar nga ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, ajo zhvilloi një takim me kryediplomaten shqiptare, Olta Xhaçka. Por nuk ishte e vetmja, pasi në takim mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, duke shënuar takimin e parë me ambasadoren Kim pas skandalit me ish-agjentin e FBI-së, Charles Mcgonigal.
Por ajo që bie në sy është fakti që ambasadorja Yuri Kim nuk ka nxjerrë në rrjetet e saj sociale asnjë foto nga takimet me zyrtarët shqiptarë, as me Olta Xhaçkën që pak kohë më parë “i preu biletën” për largimin nga Shqipëria dhe as me kryeministrin Edi Rama, emri i të cilit përmendet në dosjen e FBI. Ka nxjerrë vetëm një foto me Valls Noyes, për të cilën u shpreh e gëzuar që erdhi në Shqipëri.

Ndërsa të gjitha fotot e takimeve janë shpërndarë në faqen zyrtare të Ambasadës Amerikane dhe nga vetë ndihmës-sekretarja amerikane, e cila ka treguar edhe detaje nga takimi i zhvilluar.

“Pata një takim produktiv me ministren e Jashtme Olta Xhaçka dhe për të diskutuar marrëdhëniet tona dypalëshe të forta, pozitive, dhe angazhimin e Qeverisë së Shqipërisë për të ndihmuar Shtetet e Bashkuara në rivendosjen e aleatëve dhe partnerëve tanë afganë. Faleminderit. Vlerësova mundësinë për t’u takuar me Kryeministrin Edi Rama, për ta falënderuar Qeverinë dhe popullin e Shqipërisë për mikpritjen e tyre bujare ndaj afganëve vulnerabël. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur dhe rivendosur ata që qëndruan me ne,”-shkroi ajo në Twitter.
Megjithatë fotot e shpërndara nuk kaluan pa u komentuar, sidomos për gjuhën e trupit mes Ramës dhe Yuri Kim. Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka ironizuar duke u shprehur se dallohet qartë se sa i akullt është qëndrimi i ambasadores amerikane, Yuri Kim.
“Nuk e di se si, po këto fotot e postuara në faqen e ambasadës së fundmi, më kujtuan një fragment të Kadaresë, ku përshkruan ftohjen e marrëdhënieve me Kinën në atë kohë. Tregon se si ndryshuan njoftimet zyrtare mbas takimeve të delegacioneve dypalëshe që kaluan nga: “Takimi ishte i ngrohtë dhe miqësor” në “Delegacionet i buzëqeshën njëri-tjetrit”! Në fakt, tek fotot e fundit të ambasadës janë kujdesur që të mos ketë asnjë buzëqeshje amerikane,”– shprehet Paloka në reagimin e tij përmes rrjeteve sociale.
Mbi një javë më parë, FBI arrestoi ish-zyrtarin e lartë të kësaj strukture, Charles McGonigal. Në dosje shkruhet e zeza mbi të bardhë se McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare. Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin. Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI.
Rama mohon të ketë lidhje me akuzat e ngritura nga McGonigal, duke pretenduar se nuk ka dijeni për asgjë, por që nga momenti i publikimit të dosjes dhe deri më sot, lidhur me ngjarjen nuk ka pasur asnjë reagim nga Ambasada Amerikane. Ndryshe nga shumë herë, ambasadorja Yuri Kim ka zgjedhur që të heshtë.

