Bota po përballet me dekadën ndoshta më të rrezikshme që nga përfundimi i luftës së dytë botërore. Kështu ka deklaruar presidenti rus Vladimir Putin.

Në një fjalim të mbajtur në Moskë ai u përpoq të justifikonte pushtimin rus të Ukrainës, edhe pse kjo lëvizje e ka izoluar vendin e tij ndërkombëtarisht, shkruan BBC.

Putin akuzoi Perëndimin për shantazh bërthamor kundër Rusisë për të detyruar aleatët të largohen nga Moska.

Në fillim të kësaj jave, aleanca ushtarake e NATO-s dënoi pretendimet e pabazuara të Rusisë se Ukraina mund të përdorte eksplozivë të mbushur me material radioaktiv.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se anëtarët e aleancës “e hedhin poshtë këtë pretendim” dhe “Rusia nuk duhet ta përdorë atë si pretekst për përshkallëzim”.

Duke folur në forumin vjetor Valdai, Putin tha: “Ne jemi në një kufi historik. Përpara është ndoshta dekada më e rrezikshme, e paparashikueshme dhe në të njëjtën kohë më e rëndësishme që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.”

Ai e përshkroi situatën aktuale gjeopolitike në botë si revolucionare, duke thënë se Perëndimi nuk është më në gjendje të jetë në krye, por sipas tij po përpiqet dëshpërimisht të qëndrojë aty.

“Rendi i ardhshëm botëror po formohet para syve tanë”, theksoi lideri rus.

Dhe ai përsëri akuzoi Perëndimin e udhëhequr nga SHBA se po përpiqet të “shkatërrojë” Rusinë, por nuk ofroi asnjë provë për të mbështetur pretendimet e tij.

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version