Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka zyrtarizuar një tjetër kandidat për kryetar bashkie në kuadër të zgjedhjeve lokale të 14 majit. Bëhet fjalë për Dritan Sulën, i cili do të garojë për bashkinë e Dimalit, ndërsa përballë tij nga grupi i Berishës është Gentjan Mice.
NJOFTIMI I ALIBEAJT:
“Dritan Sula | Kandidat i Partisë Demokratike për Kryetar Bashkie në Bashkinë #Dimal Sipërmarrësi Dritan Sula është tashmë zyrtarisht në garë për bashkinë e Dimalit, për të qenë ai qytetari i parë i kësaj bashkie.
Sula, diplomuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës, është një njeri aktiv në politikë dhe jetën e tij profesionale dhe shoqërore e ka të lidhur me vendlindjen e tij. Sula është aktiv në Partinë Demokratike që në vitin 1991, kur i’u bashkua lëvizjes antikomuniste për rrëzimin e diktaturës, për të vijuar më pas me themelimin e PD-së në vendlindjen e tij, deri në drejtimin e degës së saj, funksion të cilin e mban dhe sot. Dritan Sula me kandidimin e tij për bashkinë Dimal, synon që të jetë në shërbim të bashkëqytetarëve të vet, duke ofruar një projekt konkret, për të rikthyer Bashkinë tek qytetarët, të cilët gjatë qeverisjes së Rilindjes janë nëpërkëmbur e lënë në harresë nga bashkia.”,

Deri më tani, Alibeaj ka prezantuar Agron Kapllanajn për kryetar bashkie në Mallakastër. Sipas mediave, Alibeaj ka vendosur të kandidojë përballë Rakip Sulit në Kamëz, kryetarin e Degës së PD-së të rrymës që drejton ai, Bilbil Bajraktarin. Në Bashkinë Poliçan nga grupimi i Alibeajt do të kandidojë Florian Qamo, i cili në Kuvendin e thirrur nga Basha më 18 dhjetor të vitit 2021 u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së. Në Kuçovë, ish-këshilltari Bashkiak përfaqësues i opozitës, Ilirjan Koxhaj, ka marrë përsipër të sfidojë Partinë Socialiste, por edhe aleancën Partia Demokratike e grupimit Berisha dhe Partinë e Lirisë. Në Lezhë, Alibeaj ka vendosur të kandidojë mjekun Sandër Marku. Në Krujë, Alibeaj ka vendosur të kandidojë, Sabah Sheta.
Partia Demokratike hyn në këto zgjedhje e ndarë në dy grupime, ndërsa ende nuk është e qartë se si do të regjistrohen ato. Alibeaj nuk arriti një marrëveshje me Berishën për të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale dhe tashmë do të garojë në zgjedhjet e 14 majit me kandidatët e tij.

