Përfaqësuesi i Sali Berishës në Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, Ledio Nuraj deklaroi se vula dhe simbolet e Partisë Demokratike janë në dorën e anëtarësisë. Pas vendimit të Komisionerit Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi, Nurja u shpreh se anëtarësia ka zgjedhur Berishën si kryetar, por shtoi se vendimi i marrë sot, edhe nga ana e tyre do të ankimohet në KAS.
“Duhet të ndërgjegjësohemi, siç u pa edhe sot, vula nuk ka kaluar ashtu siç është munduar të paraqesë propaganda e qeverisë deri më tani. Vula, simbolet dhe PD është në dorën e anëtarësisë dhe atje ku është anëtarësia. PD e vërtetë, është ajo PD ku aderon anëtarësia e saj prej 32 vitesh, me kryetar Sali Berishën. Ne kemi kërkuar të zbardhet sa më shpejt vendimi i sotëm, për të cilën do të ushtrojmë të drejtën ankimore, në KAS dhe më tej nëse është e mundur,”- theksoi ai.
Asnjë nga Partitë Demokratike nuk do të regjistrohet në zgjedhjet lokale të 14 majit. Vendimi është marrë nga Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi, në mbledhjen e sotme të KQZ-së. Sot, sipas KQZ, legjitimitetin për të kërkuar legjitimitetin për regjistrimin e PD në zgjedhje e ka Lulzim Basha, i cili ligjërisht figuron kryetar, edhe pse ka dhënë publikisht dorëheqjen. Por problem është fakti që Basha nuk ka firmosur deklaratën solemne për regjistrimin në zgjedhje.

