Zef Hila, deputeti i Partisë Demokratike dhe ish-kryebashkiak në Vaun e Dejës është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ende nuk dihen arsyet e paraqitjes së Hilës në SPAK, pasi edhe vetë ai nuk ka dhënë detaje. Para gazetarëve, deputeti i PD-së është mjaftuar duke thënë se është pyetur për një çështje që përbën sekret hetimor.
“Dhashë shpjegime për një çështje nën hetim në cilesinë e personit që kam dijeni. S’ju them dot mëshumë, përbën sekret,”- tha Hila.
Kjo marrje në pyetje vjen pas denoncimeve të njëpasnjëshme të Partisë Demokratike në lidhje me bashkinë e Vaut të Dejës që aktualisht drejtohet nga Mark Babani. Hila është paraqitur në SPAK edhe në muajin shtator. Një ditë më parë Boçi tha se Babani ka alokuar 741 mln lekë për një kompani private për të pastruar territorin. Boçi tha se kontratat është rreth 200 milion lekë më shumë ndërkohë që Bashkia sipas tij punëson rreth 11 punëtorë të tjerë që të merren me pastrimin.
Partia Demokratike dhe më parë ka denoncuar kreun e Bashkisë së Vaut të Dejës për abuzimet me tenderat apo punësimet fiktive apo të fryra në institucionet që janë në varësi të Bashkisë. Një javë më parë në emisionin investigativ “Piranjat” dolën dokumenhtet se si një kompani pastrimi kishte marrë një tender me vlerë 741 milion lekë, rreth 200 milion më shumë se ajo që ka dhënë ish-kryebashkiaku i mëparshëm ndërkohë që deputeti Belind Këlliçi denoncoi abuzimet në lidhje me punësimet në shkollën profesionale.

