Drejtësia italiane i ka kërkuar Brazilit që ish-lojtari i Seleçaos, Robinho, i dënuar për një përdhunim në grup të kryer në Milano në 2013, të vuajë dënimin në vendin e tij nëse nuk mund të ekstradohet, sipas ministrisë së Punëve të Jashtme të Brazilit të premten.
Ndërsa ish-anësori i Milanit (2010-2015) u dënua përfundimisht me nëntë vjet burg, pas konfirmimit të dënimit nga Gjykata e Kasacionit italian më 19 janar 2022, kërkesa italiane u shty për shqyrtim në departamentin e Ministrisë së Drejtësisë, përgjegjëse për bashkëpunim ndërkombëtar,- tha Ministria e Punëve të Jashtme.
Kushtetuta e Brazilit nuk lejon ekstradimin e shtetasve të saj. Në janar, ministri i Drejtësisë Flavio Dino, tha se “mund të ketë ekzekutim të dënimit në Brazil”, por se kjo mundësi duhet të shqyrtohet pasi të jetë bërë kërkesa.
Procesi mund të zgjasë disa vite
Procesi mund të zgjasë disa vite, thonë ekspertët. Në fillim të vitit 2022, prokuroria e Milanos kishte kërkuar ekstradimin e Robinhos, me emrin e plotë Robson de Souza dhe kishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar kundër tij. Kërkesa italiane ishte refuzuar nga Brazili. Ish-futbollisti 39-vjeçar, megjithatë, përballet me arrestim, nëse udhëton në një vend me të cilin Italia ka nënshkruar marrëveshje ekstradimi.
Robinho u dënua për përdhunim në grup, të kryer në vitin 2013 ndaj një të reje shqiptare që po festonte ditëlindjen e saj të 23-të në një klub të Milanos. Ish-lojtari i kombëtares braziliane dhe pesë bashkatdhetarët e tyre e kishin bërë viktimën e tyre të pinte “derisa ajo ishte pa ndjenja dhe e paaftë për të mbrojtur veten” dhe më pas kishin bërë “seks disa herë radhazi” me të. Ish-anësori u dënua në shkallë të parë në vitin 2017, pastaj përsëri në apel në Milano tre vjet më vonë.
Robinho luajti për herë të fundit në vitin 2020 me skuadrën turke të Süper Lig Basaksehir me bazë në Stamboll, përpara se të largohej nga vendi në gusht të këtij viti për t’u kthyer në Brazil. Sipas gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit italian, ish-lojtari ka treguar “përçmim total” ndaj viktimës, “i poshtëruar brutalisht”.

