Sot u zhvillua Maratona e Tiranës 2022, eventi më i madh sportiv në qytet.
Gara u nda në katër kategori: “Marathon” gara e plotë që i dedikohet profesionistëve, “Half Marathon”, për ata që duan të sfidojnë veten, “Tirana 10K” ku garojnë kryesisht të apasionuarit pas maratonave, por jo profesionistë dhe kategoria “We Too” që është gara për personat me aftësi ndryshe.

Për shkak të këtij eventi sportiv, disa prej rrugëve në kryeqytet u bllokuan nga ora 8:00 e mëngjesit deri në orën 16:00. Në këtë garë morën pjesë rreth 2500 vrapues nga e gjithë bota.
Çmimi i vendit të parë për kategorinë Marathon (42.195 km) është 5000 Euro, për garuesit femra dhe meshkuj.
Çmimi i vendit të parë për kategorinë Tirana 10K (10 km) 800 Euro, për garuesit femra dhe meshkuj.
Çmimi i vendit të parë për kategorinë We Too 500 Euro. Kampionia europiane e atletikës Luiza Gega ka fituar gjysmë maratonë e Tiranës duke thyer edhe rekord kombëtar. Ajo ka përshkruar 21 km për 70 minuta dhe 18 sekonda duke lënë pas rivalët e saj në këtë garë.
Një qytetar nga Ukraina ka dalë i pari në garën e 42 kilometrave.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shpërndau çmimet për kategorinë “Marathon 42 K”. Veliaj tha se është i lumtur që çmimet e para këtë vit shkuan më së shumti për atletët ukrainas.

