Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sapo kanë përfunduar takimin e sotëm në Bruksel. Takimi po bëhet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje për situatën në veriun e Kosovës. 

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka folur nga Brukseli pas disa orësh negociatash me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të BE-së, Joseph Borrell dhe Miroslav Lajçak. Ashtu siç pohoi dhe Vuçiç menjëherë pas takimi, Borrell njoftoi se edhe pas shumë orë bisedimesh palët nuk u pajtuan për një marrëveshje.

Para takimit të përbashkët, Borrell është takuar ndarazi me Kurtin dhe Vuçiç, por nuk është bërë asnjë koment mbi këtë takim. Mediat serbe kanë deklaruar se deri më tani nuk është arritur asnjë marrëveshje, pasi Vuçiç ka refuzuar propozimin e BE-s, ndërsa Kurti nuk ka pranuar që të heqë dorë nga dënimet për mosimplementimin e targave të Kosovës.

Takimi ndodh në ditën kur ishte parashikuar të fillojë faza e dytë e zbatimit të vendimit të qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia që duhet të përfundojë në prill të vitit të ardhshëm. Nga sot, sipas vendimit pritej të fillojë gjobitja e atyre që nuk i kanë konvertuar targat e makinave. Para takimit, Vuçiç tha se nuk pret ndonjë zhvillim pozitiv, por që do të shkojnë në Bruksel për të mos dhënë shkas që Serbia të akuzohet për mospjesëmarrje, ndërsa ritheksoi kërkesat e Beogradit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe anulimin e vendimit për targat e makinave. Qeveria e Kosovës konfirmoi se kryeministri Kurti është nisur për në Bruksel por nuk tha se cilat janë pritjet e saj nga takimi i së hënës.

Aktualisht rreth 130 oficerë nga Polonia dhe Italia janë vendosur në veri për të mbështetur dhe këshilluar policinë e Kosovës në rrethanat e një boshllëku në zonë të krijuar me largimin e policëve lokal serbë. Tensionet në zonë që pasuan vendimin e qeverisë për targat i cili u mor me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për një shtyrje dhjetë muajshe, u shtuan në një periudhë diskutimesh për një marrëveshje normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dritën e një propozimi evropian, i njohur si nisma franko-gjermane.

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version