Kryedemokrati Sali Berisha ka komentuar sërish para disa ditësh përgjimet e reja që pretendohet se janë regjistruar nga një radio e përdorur nga Garda e Republikës. Në një konferencë për shtyp nga selia blu, ku fillimisht doli për të komentuar çështjen e motit të keq, Berisha u pyet edhe për regjistrimet e publikuara, duke i cilësuar si mashtrimet e radhës së ish-kryepolicit Ardi Veliu për opinionin publik. Por nuk e sqaroi se përse përmendi emrin e tij. Edhe njëherë, numri një i PD i kërkoi kryeministrit Edi Rama që të dëshmonte në Prokurorinë e Tiranës lidhur me atë që ende e cilëson si “grusht shteti”.
Berisha deklaroi se nuk është një audiopërgjim, por disa “tabela shkrimi” që paraqiten si audiopërgjim. “U takon mediave ta thonë të vërtetën e atij manipulimi, nuk mund të komentoj disa tabela shkrimi që paraqiten si audio përgjim dhe që nuk ekziston audio. Dëshmoi qartësisht se është manipulim dhe falsifikim, njëlloj si shiriti i 21 janarit ku u tha se Sali Berisha ishte i implikuar në problemin e hidrocentralit. Është krijesë e Ardi Veliut”, tha Berisha.
“Së pari, që unë të komentoj manipulimet e Ardi Veliut, harrojeni! Por të them këtu, i takon mediave të thonë të vërtetën e atij manipulimi. Së pari, që unë të komentoj manipulimet e Ardi Veliut, harroje! Por të them këtu, i takon mediave të thonë të vërtetën e atij manipulimi. Nuk mund të komentoj tabela me shkrime që paraqiten si audiopërgjim dhe nuk u paraqit kurrë audio. Por dëshmoj qartësisht se është një manipulim dhe falsifikim. Njësoj si shiriti i 21 janarit kur u tha se Berisha ishte implikuar në problemin e hidrocentralit. Pra është krijesë e Ardi Veliut. Duke thënë këtë theksoj se 21 janari përbën një nga ngjarjet më tragjike të grushtit të shtetit dhe të marrjes së pushtetit me dhunë. Në atë periudhë që të hetohen organizatorët dhe autorët e dhunës, Edi Rama është personi kryesor, organizator i dhunës. Nuk gjeti kurrë kurajo që të paraqitej në prokurori ndonëse u thirr për të dëshmuar. Edi Ramën do e ndjekë gjithë jetën përgjegjësia penale e asaj dhune. Ai është i faktuar si organizator në mënyrën më të pakundërshtueshme. Pjesa e gardistëve është hetuar nga një kundërshtare e egër e Sali Berishës. Me prani të rëndësishme ndërkombëtare dhe janë dhënë vendimet e njohura deri më tani. Meqënëse shërbehet me krijime të Ardi Veliut i them lëri ato, hiq imunitetin dhe dëshmo për organizimin e puçit. I solli për mish për top. Atëherë e sot familjarët kanë ngushëllimet e mia. Manipulimi që bëri Edi Rama është makabritet,”-tha Berisha.
Çfarë ndodhi më 21 janar 2011?
Më 21 janar 2011, në një protestë të organizuar nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë, u vranë nga Garda e Republikës 4 protestuesit Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Kryeministri i kohës, Sali Berisha deklaroi se opozita kishte përgatitur një “grusht shteti” për të rrëzuar qeverinë, ndërsa opozita akuzoi qeverinë se vrau 4 qytetarë të pafajshëm. Në hetimin që u bë për vrasjen e protestuesve, të pandehur u morën Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg. Por një publikim i ri ka dalë në dritë 12 vite pas ngjarjes. Gazetari Artan Hoxha publikoi audiopërgjimet e shërbimeve të huaja ku zbardhet urdhëri i marrë për të hapur zjarr ndaj protestuesve.

