Ditën e mërkurë (14 qershor), në katedralen në Milano u zhvillua ceremonia mortore e ish-kryeministrit italian Silvio Berlusconi i cili ndërroi jetë ditën e hënë (11 qershor) në spitalin San Raffaele. 

Përmes fotove disa nga momentet më të veçanta nga ceremonia që ‘mbërtheu’ botën:

Bashkëshortja e tij Marta Fascina mes lotësh i dha lamtumirën ish-kryeministrit, duke puthur arkivolin e tij. Ajo u shoqërua nga anëtarët e tjerë të familjes, djali dhe motra. Familjarët falenderuan të pranishmit në Piazza Duomo. 

Qindra mijëra mbështetës u mblodhën në sheshin e katedrales për të nderuar e për t’i dhënë gjithashtu lamtumirën e fundit ish-kryeministrit mes duartrokitjesh dhe emocionesh. Disa prej tyre e ndoqën ceremoninë edhe nga ballkonet e shtëpisë e ndërtesave pranë katedrales.  

Zyrtarët më të lartë institucional ishin të pranishëm në funeralin shtetëror dhe protagonistët e politikës janë fotografuar duke shprehur ngushëllimet ndaj familjarëve. Në ceremoninë mortore, të kremtuar nga Kryepeshkopi i Milanos, Mario Delpini, ishin ndër të tjera Presidenti i Republikës, Sergio Mattarella, Kryeministrja Giorgia Meloni me anëtarë të qeverisë, duke përfshirë zëvendëskryeministrat Matteo Salvini dhe Antonio Tajani dhe Kryetarët e Dhomës dhe Senatit, Lorenzo Fontana dhe Ignazio La Russa. I pranishëm gjithashtu ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Në ceremoni morën pjesë edhe ish-kryeministra dhe liderë të opozitës. 

Ndërron jetë ish-kryeministri Silvio Berlusconi 

Ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi i njohur si ‘Kavalieri’ ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare. Ai ndërroi jetë në spitalin San Raffaele në Milano. Berlusconi emri i të cilit është lakuar në disa skandale seksuale dhe akuza për korrupsion vuante nga leuçemia kronike. Në muajin prill ai u trajtua në spital për një infeksion të mushkërive. Një manjat mediatik miliarder, Berlusconi erdhi për herë të parë në detyrë në vitin 1994 dhe drejtoi katër qeveri deri në vitin 2011. Ai udhëhoqi partinë e qendrës së djathtë Forza Italia, e cila hyri në koalicion nën kryeministren Giorgia Meloni pas zgjedhjeve në shtator, kur ai u zgjodh në dhomën e lartë të Italisë. 

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version