2 nënkomisarë të Policisë së Elbasanit janë pezulluar nga detyra pasi akuzohen se kanë lënë t’u ikë nga “duart” një i shumëkërkuar nga Policia. Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka bërë me dije se nga detyra janë pezulluar nënkomisari Ulian Shpataraku, 37 vjeç, me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve dhe nënkomisarja Sovjona Kapllanaj, 45 vjeçe, me detyrë Specialiste pranë Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve.
Burime për Dosja.al bëjnë me dije se personi i ndaluar nga Policia e Elbasanit është Endrit Filja. Ky i fundit është arrestuar nga pikërisht Ulian Shpataraku dhe më pas është shoqëruar në Komisariatin e Elbasanit. Aty Shpataraku ka marrë një deklaratë nga i shoqëruari në emër të specialistes Sovjona Kapllanaj, e cila ka firmosur pa ditur çfarë përmbante deklarata e tij. Kur në fakt, Filja ishte në kërkim për përshtatjen e lokalit për përdorim droge, neni 285/a i kodit të procedurës penale, e cila dënohet deri në 5 vite.
Po ashtu, bëhet me dije se pasi kanë marrë dëshminë Filjas, asnjë nga dy efektivët nuk e kanë njoftuar Prokurorinë, e cila kishte dosjen e këtij personi të kërkuar. Po ashtu, nuk e kishin raportuar as në regjistrin e personave që hyjnë në Drejtorinë e Policisë dhe as në regjistrin e të shoqëruarve. Gjë që mund t’u kushtojë edhe detyrën.
NJOFTIMI I PLOTË:
Elbasan – Drejtoria Rajonale e AMP Elbasan ka ekzekutuar vendimin penal dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan, datë 11.09.2022, për caktimin e masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” në ngarkim të punonjësve të policisë: – Nënkomisar U.SH, 37 vjeç, me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Elbasan; – Nënkomisare S.K., 45 vjeçe, me detyrë Specialiste pranë Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Elbasan.
Ata janë pezulluar në kuadër të procedimit penal nr.1200, viti 2022, të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, i ndjekur nga AMP Elbasan nën drejtimin e kësaj Prokurorie. Dyshohet se në shpërdorim të detyrës, këta punonjës policie nuk kanë zbatuar procedurat standarde për ndalimin e një shtetasi në kërkim policor. AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.
Marrë nga DOSJA.AL

