Në fillim të dhjetorit Amanda Xhaferri prokurorja e njësisë task forcë kundër korrupsionit në Prokurorinë e Elbasanit shokoi me dëshminë e saj dhe akuzat e drejtpërdrejta ndaj individëve me pushtet për zhdukjen e tre dosjeve që i kishte nën hetim.
Në atë kohë ajo akuzoi drejtpërdrejt përfshirjen e drejtuesit të Prokurorisë së Elbasanit Dritan Gina dhe drejtuesen e seksionit të hetimit të korrupsioni Erida Kokonozi në zhdukjen e dosjeve të cilat përmbanin afera të mëdha korruptive.
Por pa kaluar shumë nga data 4 dhjetor, cështjen e hetimit të zbulimit të zhdukjes së dosjeve e ka marrë në dorë një prokuror i akuzuar dhe vetë korrupsion dhe marrjen e një rryshfeti prej 18 mijë eurosh.
Bëhet fjalë për Ardian Brahon ish prokurorin e pezulluar nga Adriatik Llalla por të rikthyer në detyrë tashmë pasi akuzat ndaj tij për marrjen e 18 mijë eurove për zhbllokimin e disa transfertave bankare nuk u faktuan dhe akuza i kaloi vetëm oficerit të policisë gjyqësore pranë prokurorisë që punonte me Brahon.
Ardian Braho do të jetë prokurori i cili pritet të hedhë dritë mbi zhdukjen e dosjeve pasi Amanda Xhaferri tha se materialet ishin ” vjedhur” nga zyra e saj. Personi i cili i kishte marrë sipas Xhaferrit ishte drejtuesi i prokurorisë së Elbasanit Dritan Gina.
Nuk dihet nëse diçka e tillë do të zbardhet nga prokurori i rikthyer në detyrë Ardian Braho por në historikun e tij të dosjeve ka vetëm një fjalë “pushim“.
Mes dosjeve që ka hetuar Braho ndër vite do të mbahen mend ajo e Lulzim Bashës kur mori detyrën si kryebashkiak, për Sheshin “Skënderbej”. Në atë kohë Basha vendosi të ndryshonte projektin, e paraardhësit të tij. Basha u akuzua për dëm ekonomik, por prokurori Ardian Braho vendosi që të pushonte çështjen, me argumentin se vendimi ishte marrë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.
Ardian Braho ka hetuar dhe Bankën e Shqipërisë e ish-guvernatorin Ardian Fullani, pas një raporti të KLSH-së për dëm ekonomik. Auditi nxirrte qindra milionë lekë në dëm të shtetit por edhe kësaj here Ardian Braho pushoi çështjen për mungesë provash.
Po kështu i njëjti fat, me pushim çështjesh ishin dhe dosjet për pajisjen përgjuese në zyrën e ish ministrit të brendshëm Saimir Tahiri apo dhe pajisjen tjetër përgjuese IMSI catcher në të cilën u akuzua Haki Çako se e kishte përdorur pa lejen e autoriteteve.
Të shohim se si do përfundojë hetimi i zhdukjes së dosjeve në prokurorinë e Elbasanit./ sosnews.al
