Orges Xhelili është lënë në burg, ndërkohë që vazhdojnë hetimet për plagosjen e kryebashkiakut të Divjakës, Fredi Kokoneshi dhe shoferit të tij, Gazmend Bullari. Sipas avokatëve të të prangosurit, e gjitha është bërë për vetëmbrojtje, pasi klienti i tyre është tentuar që të përdhunohej nga persona të lidhur me kryebashkiakun.
Ndërsa i ati i të arrestuarit, Abaz Xhelili, i cili ishte sot para gjykatës së Lushnjës, tha se nuk kishte dijeni për gjendjen e konfliktit që kishte nisur. Ndërsa në një moment tjetër u pa i përlotur bashkë me të shoqen teksa i biri kalonte me pranga në duar para tyre.
Avokatët e të akuzuar thanë se plagosja e dyfishtë nuk ka ndodhur për shkak të detyrës, por si pasojë e një konflikti të çastit që ka ndodhur mes të tre personave, gati një javë më parë.
“Masa është e pashikueshme në raste të ngjashme. E kanë marrë forcërisht, kanë dash me e fut forcërisht, kanë dashur me e e përdhunu’ me kërkesën e kryebashkiakut. Po të donte i akuzuari të bënte kundër tij diçka, do e bënte. Nuk ka motive për shkak të detyrës. Bëhet fjalë për inate dhe muhabete të zhargonit të përditshëm, që dukshëm në qytetin e Divjakës qarkullojnë në mënyrë të përgjithshme. Nga ana e SPAK po hetohet një rast i tenderave publik siç dihet përbotshëm në qytetin e Divjakës. Është thirrur si person që ka pasur dijeni për rastin. Nëse do të kishte pasur inate për largim nga puna, kjo nuk është kompetencë e kryebashkiakëve. Të gjitha tentativat për ta lidhur ngjarjen me detyrën, për punësimin e tij ose, kjo nuk qëndron. Është goditur nga punonjësit e policisë që kanë kapur forcërisht dhe kanë dashur ta shoqërojnë,” tha njëri prej tyre, avokati Ndue Pjetra.
Ndërkohë që avokati Klodian Reçi shton se klienti i tij është thirrur në SPAK si person që ka dijeni lidhur me një çështje që po hetohet kryebashkiaku Kokoneshi, ndaj dhe ka nisur konflikti mes tyre. Po ashtu, sipas dëshmive të dhëna pranë avokatëve, Xhelili pretendon se kanë qenë policët bashkiakë ata që e kanë goditur më parë, gjë që për këtë ka edhe shenja dhune dhe në gjaknxehtësi e sipër Xhelili në kushtet e vetëmbrojtjes ka nxjerrë një thikë që sipas tyre nuk i kalon përmasat e armës së ndaluar dhe ka qëlluar mbi shoferin dhe kryetarin.
Kryetari i Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi u plagos me thikë bashkë me shoferin e tij më 11 nëntor, pas një debati me një punonjësin e bashkisë Orges Xhelilin. Ai kishte dalë për inspektim në një nga banesat pranë bashkisë së Divjakës në momentin që është konfliktuar me Xhelilin. Xhelili iu afrua duke e fyer, ndërsa më pas debati mes tyre ka degraduar në përdorimin e thikës nga ana e autorit. Me agresorin fillimisht është përleshur shoferi Gazmend Bullari për të mbrojtur kryebashkiakun, ndërsa të dy morën plagë në trup. Të dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.

