Zbardhen përgjimet dhe kodet që përdornin anëtarët e dy grupeve kriminale që operonin në Tiranë duke shpërndarë lëndë narkotike në shkolla dhe nëpër klubet e natës. Hetimet kanë zbuluar se pas qindra orëve përgjimesh dhe vëzhgimesh u zbulua se për kokainën kodi ishte ‘pluhur zane’, e dyshohet se “burimin” e kishte nga Fushë Krujë. Nga atje, “korrierët” e merrnin dhe më pas e shpërndanin në Tiranë. Për t’u ndalur edhe pak më gjatë tek kokainë, kishte dhe kode të tjera që përdoreshin për të përcaktuar sasinë që donte blerësi.
“Vëllai i madh”, kur bëhej fjalë për sasi të madhe kokaine dhe “vëllai i vogël” kur ishte sasi më e vogël, si 0.5 gramë apo 1 gramë kokainë. Për një qese kanabis, anëtarët e dy grupeve përdornin kodin ‘sëqe’ (pra qese në slang), duke specifikuar përkatësisht edhe sesa qese shisnin. Pjesa më e madhe e kanabisit shitej pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”. Për këtë gjimnaz, shpërndarësi ishte Dorjano Çela.

Harta
Pjesë e shpërndarjes në këtë aktivitet ishin edhe tre vajza, ku një prej tyre ndodhet në kërkim dhe rezulton sipas sistemit TIMS dhe është larguar në Itali më datë 14 mars.
METODA e shpërndarjes dhe grupimet
24 persona të identifikuar ishin të shpërndarë në 11 zona të ndryshme të Tiranës, duke përfshirë këtu 28 lagje. Të gjithë anëtarët e grupeve ndaheshin në nëngrupe të vogla me 2, 3 apo 4 anëtarë. Numrin më të lartë të shpërndarësve e kishin zonat e Bllokut, Kombinatit dhe Yzberishtit.
Të arrestarsit: Fabian Qoku, 39 vjeç, Redi Lolaj, 22 vjeç, Eduard Hysa, 25 vjeç, Dorjano Çela, 31 vjeç, Enver Mehmeti, 60 vjeç, Fatbardh Bardhi, 37 vjeç, Martin Kuka, 35 vjeç, Marsel Gjona, 31 vjeç, Mariglen Hoxha, 39 vjeç, Muharrem Tarushi, 31 vjeç, Polikron Shabani, 40 vjeç, Erion Xhaxho, 47 vjeç, Altin Llani, 45 vjeç, Jurgen Hasamataj 32 vjeç, D.I 23 vjeç, A.XH, 51 vjeç, M. V., 44 vjeç, F. P., 25 vjeç, E. K., 35 vjeç, dhe J. H., 32 vjeç; janë përballur sot me togat e zeza në Gjykatën e Tiranës. Ndaj tyre është vendosur masa e sigurisë “arrest me burg”, deri në përfundim të gjykimit. Për Prokurorinë, ata janë fajtorë për shpërndarje të lëndëve narkotike, e që Policia të mos binte në gjurmët e policisë ata komunikonin me kode dhe përdornin transport publik. Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 kilogramë e 120 gramë kokainë, 300 doza kanabis, 130 doza heroinë, shuma parash rreth 5 miljonë lekë të vjetra, 1700 euro, 11 automjete dhe 29 aparate celulare.

