Ish-futbollisti dhe trajneri i njohur gjerman, Jurgen Klinsman, bëhet protagonist në Kupën e Botës “Katar 2022” për shkak të disa deklaratave, që kanë bërë Federatën e Futbollit të Iranit të kërkojë shkarkimin e tij nga komiteti teknik i FIFA-s për Botërorin.

Në analizën që Klinsman i bëri ndeshjes së fituar nga Irani ndaj Uellsit, ai lëshoi një deklaratë që nuk u ka pëlqyer iranianëve. “Ata vunë në punë gjyqtarin. Nuk është rastësi, është pjesë e kulturës, mënyrës së tyre të lojës”,- theksoi Klinsman në fjalët e tij që kanë bërë të shpërthejë polemika, pasi fjalët e tij janë konsideruar si shprehje paragjykuese.
Njëkohësisht, Federata e Iranit ka ftuar Klinsman të vizitojë ekipin kombëtar për të kuptuar kulturën e vërtetë iraniane dhe mënyrën se si punohej me të.
“Edhe pse ai është gjerman, nuk do të gjykohet për episodin më të turpshëm të historisë së Botërorëve, “Fatkeqësinë e Gijon” të vitit 1982, kur Gjermania dhe Austria u akorduan për një rezultat”,- shkruhej ndër të tjera në komunikatën e Federatës Iraniane.
Vetë trajneri i Iranit, Carlos Queiroz nuk është kursyer në një koment në rrjetet sociale rreth këtyre fjalëve, duke lëshuar akuza të ashpra ndaj Klinsman. “More iniciativën për të më thirrur me emrin Carlos, ndaj mendoj se është korrekte që të të quaj Jurgen. Në rregull? Edhe pse nuk më njeh personalisht, vë në diskutim karakterin tim me një paragjykim tipik superioriteti.
Nuk ka rëndësi se sa mund të respektoj atë që ke bërë brenda fushës së lojës, këto komente rreth kulturës së Iranit, ekipit kombëtar të Iranit dhe lojtarëve të mi janë një turp për futbollin. Askush nuk mund të lëndojë integritetin tone, nëse nuk është në nivelin tonë”,- theksonte ndër të tjera Queiroz në deklaratën e tij.

