Edhe pse gjithnjë ai e ka refuzuar të jetë pritësi i sasisë prej 137 kg kokainë, ai së fundmi ka pranuar gjykimin e shkurtuar për të shmangur masën e madhe të dënimit që gjykata dha për të.

I arrestuar dy vite pasi u kap lënda narkotike, në fakt lënda u mor në portin e Pireut dhe u zëvendësua me oriz, Malindi u vu nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës, ndonëse ai mohoi që droga të ishte nisur për llogaritë të tij. Ditën e djeshme, ndaj tij u dha masa përfundimtare e dënimit, prej 8.8 vjetëve, ndonëse priten lëvizje të tjera nga ana e mbrojtësve të tij për të hedhur poshtë akuzat e vënë nga SPAK.

HETIMI DHE GJYKIMI

Gentian Malindi, i arrestuar muaj më parë nën akuzën e porositjes së 137 kilogramëve kokainë të kapura në 2019-ën në Portin e Durrësit, është dënuar me 13 vite burg nga GJKKO. Por duke qenë se Malindit i është pranuar kërkesa e tij për gjykim të shkurtuar, ai do të vuajë dënimin me 8 vite dhe 8 muaj burg. Procesi ndaj tij kishte nisur në mungesë me gjykim të shkurtuar, ndërsa ishte pezulluar prej një viti për shkak se nuk u arrestua dot nga autoritetet. Pas arrestimit, ndaj tij u riçel hetimi po me gjykim të shkurtuar, ndërsa ai dhe avokati i tij.

Kujtojmë se Malindi ishte shpallur në kërkim që prej vitit 2019 për kokainën e zbuluar në kontejnerët e ‘Alba Exotic Fruit’. Ai ra në pranga të enjten e 27 tetorit në afërsi të Vorës, ndërsa ndaj Malindi ka nisur edhe një procedim tjetër që po zhvillohet në Gjykatën Penale të Tiranës. Në momentin e arrestimit atij iu gjetën dokumente identifikimi të falsifikuara. Droga për të cilën akuzohet Gentian Malindi si pritës i saj, u kap nga autoritetet greke në Portin e Pireut, ndërsa ngarkesa u zëvendësua me oriz. Zyra e DEA-s amerikane në Athinë bashkë me autoritetet greke, ndoqën itinerarin e kontejnerit, duke përfunduar në Portin e Durrësit, ku ranë në pranga Altin Myslihaka që u dënua me 10 vite burg dhe Ardian Bega, i dënuar me 8 vite e 4 muaj burg me gjykim të shkurtuar. Ky i fundit punonte si oficer i Sigurisë në Portin e Durrësit dhe Myslim haka, pastrues në anijen e peshkimit “Eniway”. Përfshirja e Malindit u zbulua nga përgjimet por edhe nga dëshmia e të dënuarit Ardian Bega.

KAPJA E NGARKESËS

Më 19 gusht 2019, kontejnerët mbërritën nga Ekuadori, transit në portin e Pireut në Greqi dhe në këtë moment nisi operacioni ku u zbuluan dhe u sekuestruan 500 kg kokainë nën koordinimin e DEA dhe autoriteteve greke të cilët më pas njoftuan edhe palën shqiptare. Pasi kontejnerët kanë qëndruar për 26 ditë në Pire ku janë bërë disa takime me palën shqiptare greke dhe koordinimin e DEA-s zyrës kundër drogës së SHBA-ve me seli në Athinë është vendosur dorëzimi i kontrolluar e më pas lejimi për udhëtim drejt Shqipërisë në Portin e Durrësit.

Pas tri ditëve lundrim në det katër kontejnerët, të cilët grupi i Gentian Malindit i priste me kokainë në Durrës kanë prekur tokën shqiptare mbrëmjen e 17 shtatorit në orën 21:24 minuta. Të përfshirët në këtë trafik nuk mbërritën që atë mbrëmje për të marrë pakot e kokainës, duke i lënë atje për disa ditë deri sa mesditën e 19 shtatorit të kontraktuarit nga Malindi, Altin Myslikhaka dhe Ardian Bega paraqiten në terminal dhe hapin një nga kontejnerët. Sipas grupit hetimor ata kanë hapur vetëm kontejnerin me targë 313 duke hequr me një kaçavidë pllakën metalike dhe duke marrë prej atyre disa pako me çantë dore. Pako të cilat në vend të 137 kg kokainë kishin 136 kg oriz e gips si dhe 1 kg kokainë në të cilën kishte të montuar pajisjen e lokalizimit satelitorë GPS duke u zbuluar. Gentian Malindi, me origjinë nga Skrapari dhe banim në Durrës, djali i avokatit të njohur Ilir Malindi, është pronar i një kompanie për tregtimin e produkteve të detit, i arrestuar më herët me lëndë narkotike (në vitin 2013).

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version