Avokati i Popullit duhet të ishte zgjedhur që në sesionin e kaluar, por për shkak se deputetët e PD-së i dhanë mbështetje me firma të 20 kandidaturave dhe nuk arritën konsensusin për të çuar një ose dy emra specifikë, procesi u shty për në këtë sesion.
Ndonëse lista është shkurtua nga 20 emra në 2, sërish brenda grupit “Alibeaj” ka mosdakordësi se cili do të jetë emri që do propozohet. Kryetari i Grupit Parlamentar i PDsë Enkelejd Alibeaj nuk jep firmën për të depozituar në Parlament emrin e Ledio Brahos si kandidat të PD-së. Braho aktualisht është anëtar i PD-së në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ndërsa përball ka Dorian Gjomarkajn, këshilltarin e grupit të PD-së.

PRAPASKENAT
Më 19 shtator, deputetët që janë pjesë e grupit që mbështesin Alibeajn, në mbledhjen e përjavshme vendosën që kandidatin final ta ndanin me shumicë votash meqë nuk kishte konsensus se cili do dërgohej për votim në Parlament Ledio Braho apo Dorian Gjomarkaj. Në votimin e datës 19 shtator në mbledhjen me dyer të mbyllura votuan gjithsej në mënyrë të fshehtë 20 deputetët të PD-së që ishin në atë takim. Nga numërimi i votave rezultoi se kandidati Ledio Braho kishte marrë 13 vota pro për të qenë ai kandidati që propozohej nga PD-ja për avokatin e popullit, ndërsa Dorian Gjomarkaj kishte marrë 7 vota pro. Megjithatë ai nuk u quajt rezultati final pasi mësohet se sipas kryetarit të grupit të Enkelejd Alibeaj nuk ishin shprehur të gjithë deputetët. Ndaj ditën tjetër më 20 shtator votuan edhe 8 deputetë të tjerë. Por, burime për gazetën “Panorama” nga grupi i PD-së bën me dije se votat e 8 deputetëve të tjerë nuk u numëruan pas kundërshtive të kreut të grupit. Ndërkohë që edhe sot pas tri javësh ende nuk ka një dakordësi se cili do të jetë kandidati që do propozohet.
Gazeta “Panorama” pyeti disa prej deputetëve në lidhje me këtë çështje, të cilët pohuan se presin që të diskutojnë sot në mbledhjen e përjavshme të deputetëve për emrin e ombudsman-it të ri.
PROCESI
Në garë për Avokatinë Popullit morën pjesë 20 kandidat. Në mesin e tyre spikasnin disa juristë dhe personalitete të shquar të jetës publike. Erinda Ballanca e ka dorëzoi aplikimin në Kuvend, duke kërkuar që ta drejtojë edhe për një tjetër mandat 5-vjeçar këtë institucion, por ajo mësohet se nuk gëzon më mbështetjen e deputetëve demokrat. Në garë ishte edhe anëtari e KAS-it në KQZ, Ilirjan Rusmali. Për këtë të fundit, gazeta “Panorama” ka mësuar se PS-ja është shprehur se do të ishte dakord që ta votonte, por që Rusmajli nuk gëzon mbështetjen e deputetëve demokrat. Në mesin e kandidatëve është edhe Bledar Dervishaj, që në 5 vitet e fundit ishte mbrojtësi i Presidentit Meta në të gjitha betejat e tij ligjore përballë mazhorancës socialiste. Ky i fundit gëzon respektin e të dyja palëve.
Përfaqësues të PS-së, negociatorë për çështjen e avokatit të popullit, i konfirmuan më herët PD-së se nuk kanë asnjë koment për Dervishajn, megjithatë ky i fundit u skualifikua nga radhët e demokratëve. Ish-deputeti Sali Shehu mësohet se ka qenë në listën e kandidatëve për të cilët PS-ja është shprehur paraprakisht që nuk do ta votonte nëse do shkonte në seancë si propozim. Në këtë listë është edhe juristi i njohur Jordan Daci dhe avokati Alitin Goxhaj. Për të zgjedhur Avokatin e ri të Popullit, mazhoranca socialiste do duhet të bëjë kompromis me opozitën, pasi duhen 84 vota në Parlament.
Vakanca për Avokatin e ri të Popullit u shpall nga Komisioni për Çështjet Ligjore më 30 mars 2022 dhe thirrjes iu përgjigjën 14 kandidatë. Megjithatë, Komisioni vendosi ta shtyjë afatin për aplikim deri më 20 qershor. Avokati i Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme të individëve nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike. Kreu i këtij institucioni zgjidhet nga tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit për një periudhë 5-vjeçare, me të drejtë rizgjedhjeje. Megjithëse ligji nuk përmend negociata politike për këtë çështje dhe ka përcaktuar kritere ligjore për mënyrën si përzgjidhen kandidatët, në traditën e mëparshme zgjedhja e Avokatit të Popullit është përdorur nga për pakte mes palëve.

