Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur biznesmenit Irfan Hysenbelliu, pasi ky i fundit e konsideroi hakmarrje ndaj tij, shembjen e “Prestige Resort”. Në tre postime të njëpasnjëshme në rrjetet sociale, Rama shkruan se ajo që ka bërë Hysenbelliu është roli i viktimës pasi iu shemb një pallat pa leje, gjë që sipas tij është e barabartë me një drejtues mjeti që ankohet se përse policia nuk e lë të drejtojë makinën pa patentë. Kreu i qeverisë shton se operacioni i shembjes së resortit 7-katësh nuk ka të bëjë me media, por me fundin e një babëzie ndërtimesh pa leje. Sipas tij, pas këtij operacioni, asnjë ndërtues nuk do t’i bëjë dot karshillëk ligjit. Rama thotë gjithashtu se do të futet një normë e re ligjore dhe çdo 60 ditë do të ketë një kontroll të detyruar në lidhje me ndërtimet pa leje.
Postimi:
Një leje zhvillimi është njësoj me një leje ndërtimi sa ç’është një çertifikatë lindjeje baraz me një leje drejtimi!Të bësh viktimën e lirisë së medias pse t’u prish një pallat pa leje është njësoj si të bësh viktimën e dhunës policore pse s’të lënë ta ngasësh makinën pa patentë! Ky operacion i përfolur, përqeshur e anatemuar nga gjithë kundërshtarët tanë s’ka asnjë lidhje me median.Ka të bëjë vetëm me fundin e një historie mizerabël babëzie ndërtimesh në shkelje të ligjit për qëllime fitimi!Zor se ndonjë ndërtues do i bëjë dot karshillëk ligjit paskëtaj!Janë deri tani 15 vendime konfiskimi. Kjo e sotmja s’është e vetmja prishje, e në ndërkohë kontrollet po vazhdojnë. Do të futet një normë e re ligjore për kontrollin e detyruar sistematik (maksimumi çdo 60 ditë) të zbatimit të lejeve të ndërtimit. Të tjerat janë llogje pa lidhje!

