Policia ka vënë në pranga prindërit që shisnin fëmijët e tyre për 5 mijë euro. Rasti tronditës, u bë publik mbrëmjen e djeshme në emisionin investigativ ‘Fiks Fare’. Emre Nuredini është arrestuar në flagrancë nga Policia si dhe kanë nisur procedimet për bashkëshorten e tij, Rexhina Nuredinin. Çifti do të hetohet për veprën penale “Trafikimi i të miturve”, mbetur në tentativë.
NJOFTIMI I POLICISË:
“Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, të DVP Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasin E. N., 27 vjeç, banues në Durrës, si dhe referuan materialet në Prokurori, për shtetasen Xh. H., 25 vjeçe, për të cilën ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë. Mbrëmjen e djeshme, këta dy shtetas janë shfaqur në një video të transmetuar gjatë emisionit investigativ “Fiks Fare”, duke biseduar me një shtetas tjetër (i infiltruar nga stafi i këtij emisioni), për të shitur foshnjën që mbante në bark bashkëshortja shtatzënë (shtetasja Xh. H.), kundrejt shumës 5000 euro.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Trafikimi i të miturve”, mbetur në tentativë, dhe vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të këtij rasti. Policia e Durrësit falënderon mediat që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton që të bashkëpunojnë me strukturat e Policisë, për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të rasteve të paligjshmërive që ata ndeshin gjatë punës së tyre.”
Ngjarja u bë publike një ditë më parë. Babai 27 vjeçar së bashku me bashkëshorten e tij, nxorrën në shitje fëmijën e gjashtë edhe pse ai nuk ka ardhur akoma në jetë dhe i duhen dy muaj për të lindur. Fiks Fare realizoi bisedat me bashkëshortët. Emre Nuredini, është 27 vjeç me origjinë nga Elbasani. Pas martesës ai ka qëndruar disa vite në Tiranë, ku edhe është dënuar me burg për vepra penale të ndryshme. Ai sëbashku me bashkëshorten e tij Rexhina Nuredini banon në Shkozet Durrës. Familja Nuredini kanë pesë fëmijë dhe presin fëmijën e gjashtë të cilin e kanë nxjerr në shitje.

