Prokuroria pas marjes së mandat kontrollit nga Gjykata e Krimeve të Rënda,gjatë mbrëmjes së djeshme ka ushtruar kontroll në banesën e gjyqtarit të Apelit Shkëlqim Miri.

Gjatë kontrollit të banesës u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 174,810 euro; 10,149,000 lekë dhe 1,000 dollarë.

Gjyqtari Shkëlqim Miri ishte prej kohësh nën hetim pasi dyshohet të ketë marrë 20 mijë euro për të ndryshuar kualifikimin penal të një vrasjeje të ndodhur në Burrel, gati 20 vite më parë.

Ai dyshohet të ketë ndryshuar akuzën nga vrasje, në plagosje të rëndë me dashje të Gentian Doda, i ekstraduar në 2012 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Doda akuzohet për vrasjen e dyfishtë të Gazmir Dedjes dhe Asllan Gjokës.

Prokuroria e Matit kishte kërkuar dënimin e tij me 20 vjet burg me akuzën e vrasjes me paramendim, por gjyqtari Miri dyshohet se i kishte ndryshuar kualifikimin e veprës penale ndaj Dodës duke e kthyer në plagosje të rëndë me dashje. Prokuroria e Përgjithshme sot do të njoftojë KLD-në për të proceduar më tej ndaj gjyqtarit Shkëlqim Miri.

Aktualisht Miri ndodhet në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës pasi akuzohet për veprat penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Hetimet po vazhdojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kundra-ligjore.//sosnews.al

 

 

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version