Ashtu siç u raportua për 2 ditë në media ashtu po rezulton edhe zyrtarisht nga Prokuroria e Tiranës që ngre gishtin për të akuzuar policët që ndaluan dhe shoqëruan Lear Kurtin. Zyrtarisht, në deklaratën e sotme për mediat, Prokuroria njofton se i akuzon policët për “veprime arbitrare” dhe “mosdhënie ndihme”. Ky deklarim i Prokurorisë bie ndesh me atë të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore. AMP mohonte që policët të kishin shkelur ligjin duke deklaruar se “nuk ka veprime të kundraligjshme”.
Çfarë deklaron prokuroria?
“Mbi bazën e referimit të Drejtorisë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë, Prokuroria pranë Gjykatës Shkallës parë Tiranë ka regjistruar procedimin penal Nr.7671/2022 për veprën penale “kryerje e veprimeve arbitrare” dhe “Mosdhënia ndihmë”, parashikuar nga nenet 250 dhe 290 e K.Penal.”-thotë Prokuroria.
Çfarë deklaron AMP?
“Nga veprimet hetimore në vazhdim janë dhe këqyrja e kufomës në prani të stafit mjeko-ligjor, nga e cila nuk rezulton që në trupin e viktimës të ketë dëmtime apo shenja dhune. Në kyçe konstatohen shenjat e krijuara në momentin e prangosjes.
Nga autopsia e kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore, rezultoi se në stomakun e viktimës është gjetur një qese plastike e çarë me ngjyrë të bardhë me përmasa 5×5 cm, e dyshuar si ambalazh i lëndës narkotike, e cila i është nënshtruar ekzaminimit në Institutin e Policisë Shkencore. Gjithashtu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, vijojnë ekzaminimet për të përcaktuar shkakun e vdekjes. Nga analiza e kryer e provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimeve, si pamje filmike, këqyrje dhe ekzaminime mjeko-ligjore, nuk evidentohen veprime të kundraligjshme të punonjësve të Policisë, gjatë dhe pas shoqërimit të shtetasit L.K., 32 vjeç.”-deklaron AMP.
Edhe pse jo direkt, akuza e prokurorisë për “veprime abritrare” implikon policët e komisariatit nr.3 direkt në një shoqërim të dhunshëm më e pakta ose dhunim të viktimës në anën tjetër. Pa përmendur faktin që viktima nuk u dërgua në spital por u mor dhe u sorrollat në komisariat e më pas në makinë dhe spital. Sot, historia mund të ishte ndryshe./Dosja.al

