Akti i rëndë i vrasjes së ndodhur në fillim të vitit të ri në Prizren ka bërë që autoritetet vendase të ndërmarrin hetime konkrete në lidhje me të gjitha hetimet e mëhershme të autorit të ngjarjes.

Ky hap është bërë publik nga vetë Këshilli që heton dhe verifikon punën e prokurorive themelore të qyteteve të Kosovës, ku flitet se autori që i mori jetën të riut kuksian është një person me rekorde të panumërta kriminale, por ai rezultonte jo vetëm i lirë po madje ishte edhe një nga personazhet e njohura në mediumet vendase.

REAGIMI I KPK-SË

Këshilli i Prokurorisë i Kosovës ka bërë të ditur se ka kërkuar nga shefi i Prokurorisë Themelore të Prizrenit që të përgatis një raport me të gjitha veprimet hetimore të ndërmarra ndër vite ndaj Dibran Hoxhës i njohur me emrin “Kobra”, i cili dyshohet për vrasjen e Visart Cengut.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) njofton opinionin publik se menjëherë pas rastit të fundit të vrasjes së ndodhur në Prizren ku i dyshuar është Dibran Hoxhaj, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit të përgatisë raport lidhur me të gjitha veprimet prokuroriale të ndërmarra ndër vite ndaj tij”, thuhet në komunikatë.

Më tej KPK shton se në bazë të kompetencave që ka do të trajtojë me kujdes të gjitha veprimet që Prokuroria në Prizren ka ndërmarrë ndaj Dibran Hoxhës dhe çdo lëshim eventual do të sanksionohet në bazë të ligjeve në fuqi.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës, në bazë të kompetencave ligjore që ka, do të trajtojë me kujdes të gjitha veprimet e ndërmarra ndër vite nga prokuroria përkatëse ndaj Dibran Hoxhajt dhe çdo lëshim eventual do të sanksionohet në bazë të akteve ligjore në fuqi”, përfundon njoftimi.

Ky reagim i KPK-së vjen pas raportimeve të shumta në media se ndaj Dibran Hoxhës kanë renduar mbi 100 vepra penale, por megjithatë ai ka vazhduar që të jetë i lirë.

HETIMET

Në lidhje me shkaqet e konfliktit ende nuk është mësuar e vërteta reale që e çoi Dibran Hoxhajn në atë akt kriminal të vrasjes së klientit dhe kuksianit Visart Cengu.

Deri më tani kanë dalë dy versione që lidhen me ngjarjen për të cilën në fakt pritet të flasin vetë protagonistët. Referuar të dhënave më të fundit mësohet se në fakt, viktima dhe miqtë e tij nuk kanë darkuar në lokalin e Kobrës por ata kanë shkuar pas darkës për të konsumuar një pije, pije e cila iu ka kushtuar shumë herë më shumë se sa kanë menduar. Fillimisht u tha se të rinjtë kuksianë kishin darkuar në restorantin e Kobrës, por këtë fakt e kanë hedhur poshtë familjarët e të plagosurit.

Policia lokale e Prizrenit, nën udhëheqjen e prokurorisë themelore kanë nisur marrjen e dëshmive si dhe hapjen e kamerave të lokalit ku ka ndodhur ngjarja. Po ashtu mësohet se është ndërhyrë edhe në banesën e autorit të sulmit ku janë sekuestruar shumë prova materiale bashkë me një kasafortë të madhe, brenda së cilës ende nuk dihet se çfarë ka.

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version