Qeveria shqiptare do të prodhojë vetë pasaportat, por një rekomandim ka ardhur nga delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë. Në një përgjigje për gazetaren Esiona Konomi të ABC News lidhur me këtë çështje, delegacioni i BE thotë se pret të informohet nga autoritetet shqiptare për standardet e sigurisë që do të kenë mjetet e reja të identifikimit.

“Ne jemi të gatshëm që ekspertët e Komisionit Evropian të shqyrtojnë procedurat e lëshimit dhe dokumentet e reja të identitetit që do të prodhohen. Dëshirojmë të kujtojmë se siguria e dokumenteve ishte një nga standartet e përfshira në udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave, që çoi në regjimin pa viza për qytetarët shqiptarë kur udhëtojnë drejt BE-së që prej vitit 2010. Prandaj është thelbësore që të zbatohen standarte të forta sigurie gjatë prodhimit të këtyre dokumenteve,”- thuhet në reagim.

Përgjigjja e plotë e delegacionit të BE në Tiranë për gazetaren e ABC News, Esiona Konomi:

Autoritetet shqiptare janë të lira të zgjedhin çdo ofrues që dëshirojnë për prodhimin dhe shpërndarjen e pasaportave dhe kartave të identitetit. Çdo ofrues i ri duhet të përmbushë standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO) për sa i përket sigurisë së pasaportave, që përfshin, ndër standardet e tjera, infrastrukturën e përshtatshme, siç janë mjediset e sigurta të stampimit. Gjithashtu, çdo vend që përfiton nga regjimi i liberalizimit të vizave pritet të zbatojë standardin më të lartë të ekspertizës dhe integritetit në prodhimin e dokumenteve biometrike. Procesi i menaxhimit të identifikimit dhe mbrojtjes së të dhënave të qytetarëve është me rëndësi shumë të madhe. Presim që autoritetet shqiptare të na informojnë për standardet e sigurisë që do të zbatohen për dokumentet e reja. Ne jemi të gatshëm që ekspertët e Komisionit Evropian të shqyrtojnë procedurat e lëshimit dhe dokumentet e reja të identitetit që do të prodhohen. Dëshirojmë të kujtojmë se siguria e dokumenteve ishte një nga standartet e përfshira në udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave, që çoi në regjimin pa viza për qytetarët shqiptarë kur udhëtojnë drejt BE-së që prej vitit 2010. Prandaj është thelbësore që të zbatohen standarte të forta sigurie gjatë prodhimit të këtyre dokumenteve.

Këshilli i Ministrave vendosi më 14 shkurt krijimin e shoqërisë aksionare me kapital shtetëror për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike, si pasaporta dhe karta e identitetit (ID). Në mbledhje u vendos krijimi i shoqërisë aksionare, me kapital 100% shtetëror. Kapitali fillestar për krijimin e shoqërisë aksionare të jetë 20 000 000 (njëzet milionë) lekë, ndërsa Autoriteti publik, që përfaqëson shtetin si pronar është Ministria e Brendshme. Deri më tani, kompania që merrej me krijimin e dokumenteve biometrike ishte Aleat Sh.p.k. Kompania operonte në Shqipëri në bazë kontrate koncesioni të lidhur ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë dhe konsorciumit të IDEMIA SA (Francë) dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve (Shqipëri) që në vitin 2008 dhe përfundon në muajin korrik 2023.

Marrëveshja për krijimin e kompanisë është firmosur me VKM, por deri më tani nuk dihet se çfarë çmimesh do të përcaktohen nga shteti për nxjerrjen e pasaportat dhe kartat të identetit. Aktualisht, shqiptarët, për të prodhuar një pasaportë personale duhet të paguajnë 7.500 lekë për një afat 15 ditor, ndërsa në një afat të përshpejtuar në vetëm 2 apo 3 ditë duhet të paguajnë 18.000 lekë të reja, ndërsa për prodhimin e kartës së identitetit, e cila është e detyrueshme për të gjithë shtetasit mbi 16-vjeç, duhen 1.500 lekë.

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version