Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, paralajmëroi se brenda qeverisë kanë nisur diskutimet për shkrirjen e bordeve të transparencës për çmimet e karburantit dhe çmimeve të ushqimeve.
Gjatë konferencës ku prezantoi arritjet e vitit të kaluar dhe projektet e ardhshme, Balluku u shpreh se ka pasur diskutime për këtë çështje, por si vendim i takon Ministrisë së Financave. Ajo shtoi se nga ana e qeverisë, një vendim i tillë është i mirëpritur, duke qenë se çmimi i karburanteve në bursë është stabilizuar, një vendim që shihet si tërheqje nga qëndrimi i palëkundur i deritanishëm për funksionimin e tyre. “Bordi nuk ka synim të lehtësoj kostot, por transparencën.
Bordi nuk vendos dhe as nuk e ul dhe as nuk e ngre çmimin. Por bën transparente metodologjinë. Se ka një bursë dhe përmes kësaj metodologjie vendoset çmimi tavan. Bursën nuk e lëviz as topi. Bordi mblidhet kur ka ndryshim çmimi. Nuk e vendosim dot ne se kur mblidhet bordi. Duke qenë që çmimi është stabilizuar, ne kemi disa javë që kemi një diskutim për ndalimin e të funksionarit të dy bordeve. I përket Ministrisë së Financave dhe do jetë i mirëpritur si vendim. Tregtarët e naftës janë të qartë shteti do të monitoroj edhe nëse bordi nuk do të jetë ekzistues”, tha Balluku.
Kjo deklaratë e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës vjen pasi Gjykata Kushtetuese pranoi në mënyrë të pjesshme padinë e Partisë Demokratike për shkrirjen e dy bordeve të transparencës të shumë kritikuara prej saj. Kushtetuesja pranoi vetëm kërkesën për shkrirjen e bordit të çmimeve të produkteve ushqimore, ndërsa nuk ka bërë asnjë reagim për bordin që cakton çmimin e karburanteve. Në dukje, kjo tërheqje e qeverisë mund të vijë nga ndonjë vendim i pritshëm i trupës kushtetuese për shkrirjen e tyre. “Kushtetuesja” ka caktuar 31 janarin si ditën kur do të zhvillohet beteja e parë ligjore e demokratëve jo vetëm kundër qeverisë, por edhe Autoritetit të Konkurrencës.
KONCESIONET
Ministrja e Infrastrukturës mbrojti koncesionin MiliotFier dhe procedurën e tenderimit për të trija lotet e tij. Belinda Balluku mohoi përdorimin e parave publike për ndërtimin e autostradës Milot-Fier, një segmenti prej 114 kilometrash, pjesë e “korridorit blu”, ku vlera e parashikuar e investimit është 837 milionë euro. Ndërtimi i 3 loteve të autostradës, MilotThumanë, 13.5 kilometra i gjatë do kushtojë 44,620,189 euro; Kashar-Lekaj me gjatësi 26.6 kilometra do kushtojë 474,869,965 euro dhe LekajFier me gjatësi 46 kilometra do të kushtojë 317,595,539 euro.
Sipas saj, do të bëhet vetëm me paratë e vetë koncesionarëve fitues të tenderëve. Në të gjithë aksin është parashikuar të vendosen tre “tra me pagesë”, ku qytetarët do të paguajnë para për të shfrytëzuar aksin. Fitimet do ndahen mes koncesionarit dhe shtetit, kjo pasi Balluku tha se koncesionari do t’i paguajë shtetit 2 për qind të fitimeve gjatë gjithë periudhës koncensionare. “Financat e shtetit nuk preken nga koncesionet. Koncesioni bëhet totalisht me investimin privat të vetë koncesionarit, i cili i paguan shtetit shqiptar 2 për qind të fitimit. Shtetit nuk do i duhet të japë asnjë qindarkë tek koncensionari ndërkohë që vetë ai do të investojë për ngritjen e koncesionit pasi ato nuk bëhen me paratë publike.
Për ThumanëKashar, në vitin 2019 ne zhvendosëm buxhetin në dispozicion të PPP tek buxheti i paktit për universitetin. Kompania fitoi të drejtën në gjykatë për ta kryer atë vepër. Por pas negocimit, Ministria e Infrastrukturës ka arritur një fitore pasi nuk ekziston më PPP, sepse s’janë më ato para. Kompania pranoi të kthehej në koncesion. Sot investimi do të bëhet nga privatët. Sa i përket Lekaj-Fier, ajo është një rrugë që nuk përmbush asnjë kusht të një autostrade. Ajo ka një numër aksidentesh të konsiderueshme. Kjo nuk është një autostradë për një vend që ka hapur negociatat dhe do të anëtarësohet në BE. Ne do të përfundojmë korridorin blu që nis nga Kroacia dhe përfundon në Greqi. Rruga që ne kemi sot është një kategori e lodhur C, e cila një problematikë shumë të madhe sa i përket sigurisë rrugore ka dhe ne duhet tu përgjigjemi parametrave, të një kategoria A1. Autostrada do të jetë për një shpejtësi me 130 km për orë”, tha Balluku.

