Nga e hëna 3 korrik çdo shërbim i Kadastrës do të digjitalizohet. Kryeministri Edi Rama, duke e nisur fjalimin e tij me një falje publike duke “sulmuar” zyrtarët dhe deputetët e tij ka bërë një lajmërim të rëndësishëm.
Sipas tij, nga data 3 korrik çdo shërbim në Kadastër do të merret vetëm online përmes e-Albania. Për Ramën, qytetarët nuk duhet të shkojnë më në Kadastër, sepse nuk do t’i presë askush. Teksa fliste për probleme, zbuloi edhe “skemën” e sigurimit të votave dhe më pas kthimin e ndereve nga të besuarit e tij në terren.
Kreu i qeverisë tha se se ministrat, deputetët dhe kryebashkiakët kanë penguar punën dhe transformimin e Kadastrës, duke e kthyer në një fole qokash. Por nuk përmendi emra dhe as “sanksione” që mund të ndërmarrë ndaj atyre që kanë penguar një proces kaq të rëndësishëm për vendin.
Kreu i qeverisë thekson se kanë bërë shumë përpjekje për ta ndryshuar sistemin e marrjes së titullit të pronësisë, por ende nuk ka pasur rezultat. Tani sistemi do të jetë me zgjedhje rastësore; pronat e Tropojës do të trajtohen në Sarandë, ose në çdo qytet tjetër që rëndom do të zgjidhet nga algoritmi i kompjuterit.
Në fund të fjalës së tij, Rama tha se ka pasur dhe pret shumë dorëheqje, ndërsa ata që do të mbeten do të marrin një rritje të konsiderueshme të pagës.

