‘Karma është një kur**’, deklarata e fortë e Kryeministrit Edi Rama drejtuar Presidentes së Parlamentit Europian Roberta Metsola, ka tërhequr vëmendjen e të gjitha mediave, në rajon e botë. Politico shkruan se kreu i qeverisë shqiptare ka goditur hipokrizinë e BE-së me këto fjalë, grup që kërkon një përmbushje standartesh nga vendet që duan të integrohen, por që në fakt, nuk i përmbushin as vetë.
“Më shumë se gjysma e vendeve të BE-së nuk do të mund të hynin më në BE. Nuk po flas për ish-komunistët. Po flas edhe për themeluesit, më besoni,”- tha Rama në Davos, referuar skandalit të Katar Gate.
“Rama pretendoi se procesi i anëtarësimit për shtetet kandidate është i ndryshëm nga kur vende si Malta, vendi i origjinës së Metsola, u bënë anëtarë të bllokut, duke shtuar se kjo është një gjë e padrejtë”, kur në fakt Shqipëria renditet e 110-ta në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International poshtë Afrikës së Jugut, Bjellorusisë dhe Kazakistanit,”- shkruan Politico.
Skandali u zbulua muajin e kaluar pasi policia sekuestroi rreth 1.5 milionë euro gjatë një sërë bastisjesh në një apartament, një shtëpi dhe një hotel. Fotot e kartëmonedhave prej 200 €, 50 €, 20 € dhe 10 € u publikuan nga policia, duke përfshirë një valixhe të gjetur në hotel e cila ishte e mbushur me para. Eurodeputetët dyshohen se kanë marrë ryshfet nga Katari dhe Maroku në këmbim të ndikimit në Parlamentin e Brukselit. Mes të dyshuarve të tjerë është një eurodeputete greke në detyrë, Eva Kaili, së cilës i është hequr roli i saj si nënkryetare e Parlamentit, partneri i saj Francesco Giorgi dhe lobisti Niçolò Figà-Talamanca. Ish-deputeti i Parlamentit Evropian Pier Antonio Panzeri ka marrë statusin e të penduarit dhe pritet të zbërthejë detaje.

