Debate dhe përplasje mes kryeministrit Edi Rama dhe zëdhënësve të vendeve anëtarë të KiE. Për më shumë se një orë, kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalim në Foltoren e Këshillit të Europës lidhur me të ashtuquajturin ‘raporti i Dick Marty-t’.
Në fjalën e tij, Rama kërkoi rishikimin e Rezolutës 1782 (2011) dhe të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës. Po ashtu, kritikoi shumë vende që nuk e njohin Kosovën, duke e krahasuar me Ukrainën sot. Sipas tij, situata është e njëjtë. Madje përmendi edhe presidentin ukrainas, Volodymir Zelenskyy, për të cilin tha se pas luftës mund të ngrihen të njëjtat akuza si për Hashim Thaçin për trafik organesh dhe krime të tjera lufte.
Tek këto të fundit u ndal gjatë, ndërsa fokus kishte mikun e tij, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të cilin e pagëzoi edhe me emrin e tij të ri “Jozef K”. Bazuar në personazhin kryesor të Franz Kafkës në romanin “Gjyqi”. Në fjalën e tij, numri një i qeverisë shqiptare tha se për akuzat e ngritura nga Marty nuk ka pasur asnjë hetim, por i cilësoi si thriller, njëjti si romani i shkrimarit shqiptar Ismail Kadare, Gjenerali i ushtrisë së vdekur.
Duke ngritur zërin, Rama kërkoi që të hidhnin poshtë rezolutën. Por fjala e Ramës nuk u prit mirë, pikë së parë për kohëzgjatjen e tij. Pastaj një deputete nga Serbia ndërhyri ashpër, duke theksuar se raporti është i Këshillit të Evropës dhe jo serb apo rus.
Rama u përgjigj që asnjë fjalë nuk do të hiqte nga ato që tha dhe se është gati për debat. Përplasje pati edhe me një deputete greke, e cila u shpreh e shqetësuar për marrëdhëniet e Shqipërisë me Turqinë.
Rama i tha se Shqipëria i cilëson të dy vendet njësoj mike, e se përplasjet mes tyre duhet që t’i zgjidhin së bashku. Një deputet rumun kërkoi një pronë të dhënë nga mbreti Zogu I, por nuk mori fare përgjigje nga Rama.
Raporti i vitit 2011 i Dick Marty, asokohe anëtar dhe raportues i Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentarë të Këshillit të Evropës ngre pretendime për trajtim ç’njerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore që dyshohen të jenë kryer nga pjestarë dhe drejtues të UÇK. /Dosja.al

