Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm ditën e sotme në Gjirokastër. Ky takim, vjen në ditën e dytë të turit të takimeve në bashkitë e vendit, ku po diskutohet mbi punët e qeverisë vendore. Rama përmendi rritjen e pagës minimale, si një nevojë emergjente për përballimin e rritjes së çmimeve dhe krizës globale. Ai tha se duhet që shumë shpejt paga minimale të arrijë në 400 mijë lekë të vjetra.
Kreu i Qeverisë deklaroi se do të përdorin një sistem detyrues për banesat e vjetra në Gjirokastër, do të mbështesin bizneset artizanate si dhe këshilloi bizneset që të rrisin pagat e punëtorëve. Rama akuzoi opozitën se po çon në Gjykatën Kushtetuese për pronat pa leje, veprime të cilat i kanë frymëzuar kohë më parë. Kreu i Qeverisë shtoi se nga ana e opozitës po hidhen shumë para për të rrëzuar vendimin.
Teksa ishte në Gjirokastër, Rama mbajti një takim edhe me simpatizantët e tij. Ai tha se nuk e kishte përmendur për asnjë moment vettingun e pedagogëve, ndërsa i cilësoi ata që protestonin si të “Foltores”. Nuk i kurseu as akuzat për Aleksandër Kovaçin, të cilin e cilësoi si figurë të SHIK-ut. Ndërsa nuk harroi pa përmendur edhe amnistinë fiskale, opozitën dhe tema të tjera aktuale që së fundmi kanë trazuar politikën.

