Policia e Shtetit ka dhënë për herë të parë informacion në lidhje me gjendjen e rëndë shëndetësore në të cilën ndodhet vajza 22-vjeçare nga Kenia, Joy. Kur kanë kaluar gati 3 muaj nga ngjarja e rëndë pa asnjë njoftim, Policia e Tiranës pranon se e reja është zhdukur dyshohet se ëshgtë dhunuar. Në njoftim ka ende paqartësi në lidhje me faktin se ku dyshon Policia, ndërsa thotë se ka marrë denoncim nga shoqja e vajzës më 14 gusht të këtij viti se Joy ishte zhdukur. Duke mos dhënë asnjë sqarim nëse ngjarja ka ndodhur në rrugë apo thjesht trupi është gjetur atje, Policia thotë se po punohet.
Njoftimi i plotë:
Sqarim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë Më datë 14.08.2022, një shtetase nga Kenia ka bërë denoncim për humbjen e kontakteve me shoqen e saj, shtetasen J. A., 22 vjeçe, nga Kenia, banuese në një banesë me qira, në rrugën “Pandeli Evangjeli”, e cila më pas u gjet pa ndjenja, në afërsi të banesës së saj. Në lidhje me këtë rast sqarojmë se Komisariati i Policisë Nr. 1 ka vlerësuar denoncimin e bërë dhe ka reaguar në kohë. Në përfundim të veprimeve të para hetimore për këtë rast janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka regjistruar procedimin penal, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”. Gjithashtu, sqarojmë se strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Nr. 1 Tiranë kanë kryer të gjitha veprimet hetimore të deleguara nga Prokuroria, për sqarimin e rrethanave të këtij rasti.
Por sqarimi i sotëm nuk e lan dot nga përgjegjësia Policinë e Shtetit për mungesën e reagimit për gati 3 muaj. Rasti i vajës u mësua falë publikimit të një apeli për ndihmë në “Go fund Me” ku familja dhe miqtë kërkonin ndihmë financiare për ta trajtuar. Vajza ka 2 muaj në intubim dhe nuk mundet as të flasë dhe as të lëvizë. Vajza e re ishte rekrutuar për të punuar në kazinonë pranë stadiumit ‘Air Albania’, e cila operohet nga një kompani austriake që përfaqësohet ne Tiranë nga shtetasi Bledar Sinanaj, i njohur si Dari i Apexit. Joy u zhduk më 13 gusht 2022 nga ora 03:25 e mëngjesit deri rreth orës 07:00 të mëngjesit ku u gjet pranë banesës. Nëna e saj, Ruth thotë se policia nuk e kontaktoi për asnjë informacion në lidhje me hetimin e rastit dhe se kush mund t’a kishte dhunuar të bijën. Deri në publikimin në “Go fund Me”, ngjarja ishte e mbuluar nga misteri dhe askush nuk dinte asgjë. Media tradicionale ende nuk ka raportuar lajmin e bashkarisht me të edhe policia e Shtetit, që edhe sot nuk deklaron nëse Joy u dhunua barbarisht apo u plagos dhe nëse po, nga kush. Pse heshti policia?/ Dosja.al

