Trajneri i Barcelonës, Çavi Hernandez doli në një konferencë për mediat para ndeshjes së radhës në La Liga, atë ndaj Getafes në shtëpi. Gjatë konferencës Çavi foli për Real Madridin dhe Dani Alvesh i cili aktualisht është në paraburgim pasi akuzohet për përdhunimin e një vajze 23-vjeçare.
“Fituam Superkupën ndaj Real Madrid por tashmë duhet të shfaqemi me “këmbë në tokë”. Duhet të evitojmë euforinë, zhvilluam një ndeshje të shkëlqyer dhe fituam titullin, por tashmë duhet të vijojmë me pjesën e mbetur të sezonit. Unë nuk dua që Barcelona të krahasohet me Real Madrid, gjithë garën e kemi me veten tonë dhe më duket se jemi më mirë se më parë.
Duhet të ruajmë këtë nivel dhe nuk shohim se çfarë bëjnë të tjerët. Është pak e vështirë të komentosh situatën e krijuar me Dani Alveshin, jam i surprizuar dhe i prekur nga ajo se çfarë po ndodh. Jam në një gjendje shoku, por i takon drejtësisë të thotë fjalën e fundit. Ndihem keq për të dhe jam i surprizuar”, u shpreh Çavi.

