Rikthehen tensionet dhe të shtënat në Veri të Kosovës. Zyrat e KKZ-së në Mitrovicën e Veriut u thyen nga persona të panjohur, disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve për kryetar të katër komunave pas dorëheqjes së listës serbe.
Gjithashtu janë dëgjuar shpërthime në Zubin Potok, pikërisht një nga komunat e Mitrovicës. Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën, Petar Petkoviç dënoi sulmet dhe akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për provokim tensionesh ndërkohë që në Tiranë mbahet Samiti i BE.
Ndërkohë policia e Kosovës ka dalë me një njoftim zyrtar ku konfirmoi se pa patur disa të shtëna dhe shpërthime në Zubin Potok dhe raportoi se ka dhe të lënduar. Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç tha se autoritetet e Kosovës kanë dërguar sot forca policie për provokim.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se situata në veri degradon për shkak të bandave kriminale që përkrahen nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Tensionet në veri kanë marrë vëmendjen edhe të ambasadorëve të huaj në Kosovë.
Ambasadori amerikan Jeff Hovenier si dhe ai gjerman John Rode kanë deklaruar se këto situata duhet që të marrin fund.

