Është bërë i mundur rikthimi në normalitet i sistemin TIMS në Aeroportin e Rinasit. Sistemi qëndroi i bllokuar prej më shumë se 24 orë si pasojë e sulmit kibernetik. Gazetarja Glidona Daci mësoi se situata në Rinas tashmë është e normalizuar dhe puna vijon pa problem.
Në doganën e Kapshticës është kthyer sistemi, por punon shumë ngadalë.
Edhe në Kakavijë sistemi ka ardhur prej orës 02:00 të mengjesit të sotëm dhe po punohet me 3 sportele në dalje.
Mësohet se në pikat e tjera kufitare tokësore dhe detare vijon regjistrimi i hyrje-daljeve të qytetarëve manualisht, pra me anë të regjistrave. Sistemi i Menaxhimit të të Dhënave ra të premten pre e një sulmi kibernetik.
Drejtori i Aviacionit Civil, Maksim Et’hemaj, tha të shtunën (10 Shtator) se sulmi nuk ka prekur të dhënat e sistemit TIMS. Si pasojë e sulmit kibernetik ra edhe faqja online e Policisë së Shtetit.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se përgjegjës është i njëjti agresor qe sulmoi sistemet online me 15 Korrik, Republika Islamike e Iranit. Në lidhje me këtë ngjarje reagoi edhe Këshilli Kombëtar i Sigurisë në SHBA, e cila dënoi sulmin kibernetik.

