Liderë dhe ish-udhëheqës botërorë kanë uruar Rishi Sunak pas marrjes së postit të kryeministrit të ri të Britanisë.
sh-kryeministri Boris Johnson ishte i pari që uroi. Teksa e cilësoi si ditë historike, Johnson në një postim në Twitter shkroi se çdo konservator duhet t’i japë kryeministrit të ri mbështetje të plotë.
“Urime për Rishi Sunak në këtë ditë historike, ky është momenti që çdo konservator t’i japë kryeministrit tonë të ri mbështetjen e plotë dhe të përzemërt”, shkroi Boris Johnson.

Pas tij, ka reaguar presidenti francez Emmanuel Macron, i cili shkroi: “Urime për Rishi Sunak, i cili është bërë kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar. Së bashku do të vazhdojmë të punojmë për të trajtuar sfidat e momentit, duke përfshirë luftën në Ukrainë dhe pasojat e saj të shumta për Evropën dhe botën.”

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjithashtu ka përgëzuar Rishi Sunak, duke shtuar se shpreson që kryeministri i ri të kapërcejë me sukses “të gjitha sfidat me të cilat përballet shoqëria britanike dhe bota sot”.
“Ju uroj të kapërceni me sukses të gjitha sfidat me të cilat përballet shoqëria britanike dhe mbarë bota sot. Jam gati të vazhdoj të forcojmë së bashku partneritetin strategjik Ukrainë-Britani e Madhe”, shkruan Zelensky.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shkroi në urimin e saj: “Në këto kohë testimi për kontinentin tonë, ne mbështetemi në një marrëdhënie të fortë me Mbretërinë e Bashkuar për të mbrojtur vlerat tona të përbashkëta, në respekt të plotë të marrëveshjeve tona”.


