Tre shqiptarë janë shpallur fajtor për vrasjen e shtetasit Tomasz Waga në qytetin e Cardiff në janar të vitit të kaluar.

Gjykata la në burg shtetasit Josif Nushi, Mihal Dhana dhe Hysland Aliaj për rrëmbimin dhe rrahjen për vdekje të Waga-s, pasi ky i fundit tentoi të vidhte një sasi kanabisi në shtëpinë e barit që ruhej nga shqiptarët.

Ngjarja e rëndë u shënua më 28 janar të vitit të kaluar. Tomasz Waga, 23 vjeç udhëtoi drejt Cardiff-it sëbashku me shtetasin Carl Davies me të cilin kishin planifikuar grabitjen e sasisë së kanabisit nga shqiptarët.

Shtëpia e barit ishte e vendosur në rrugën 319 Newport Road dhe ruhej nga 3 shqiptarët. Ata rrahën me shkop bejsbolli 23-vjeçarin, ndërkohë që personi tjetër u arratis. Më pas, shqiptarët e morën të riun dhe e futën në makinë për ta transportuar më pas në zonën e Westville Road ku u hodh në mes të rrugës.

Waga u gjet më pas nga një kalimtar i rastit, por pavarësisht tentativave për ta ndihmuar, 23-vjeçari ndërroi jetë.

Prokurori Greg Bull KC tha në seancën e sotme gjyqësore se: “Në vitin 2020, një bandë e organizuar kriminale e shtetasve shqiptarë ngriti një shtëpi bari ku kultivohej kanabisi, në një zonë rezidenciale të Cardiff… Ishte një sipërmarrje e mirëadministruar, e organizuar dhe fitimprurëse. Ishte aq i suksesshëm dhe fitimprurës sa anëtarët e bandës ishin të përgatitur ta mbronin atë me çdo kusht.

Ndërsa Waga dhe Carl Davies tentuan të grabisnin lëndën narkotike me vlerë 120 mijë euro, ata u përballën me shqiptarët të cilët ishin të armatosur me mjete të rënda. 23-vjeçari mori lëndime të shumta dhe u transportua nga shtëpia e barit në 319 Neëport Road, Cardiff me një makinë Mercedes…

Pas vrasjes, Nushi, Dhana dhe Aliaj u arratisën në Shqipëri, por u ekstraduan më pas drejt Mbretërisë së Bashkuar përpara se të dilnin në gjyq.

Gjykatësi i shpalli fajtor 3 të pandehurit ndërsa dënimi për ta do të jepet më 10 janar të vitit të ardhshëm. Ai i tha Nushit dhe Dhanës se kishte vetëm një dënim për të dhënë në rastin e tyre, një me burgim të përjetshëm.

Më herët në gjyq, Gledis Mëhalla, 20 vjeç, pa vendbanim të caktuar dhe Mario Qato, 27 vjeç, nga Lansdowne Road, Londër, u shpallën të pafajshëm për vrasjen e Waga-s. Sipas mediave britanike, për ta kishte mungesë provash.

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version